Ndërlidhjet

Debati mbi luftën kundër Shtetit Islamik


Kongresi i Shteteve të Bashkuara, foto nga arkivi
Kongresi i Shteteve të Bashkuara, foto nga arkivi

"Zëri i Amerikës"

Kongresi amerikan këtë javë është pushim, ndërkohë që presidenti Barack Obama përgatitet të organizojë një takim mbi çështjet e ekstremizmit të dhunshëm në lagjet amerikane.

Sulmet në Danimarkë edhe një herë theksuan nevojën për vigjilencë, dhe mund të ndikojnë në diskutimet e ardhshme të Kongresit mbi kërkesën e Presidentit Obama për autorizim për të luftuar militantët e Shtetit Islamik.

Sulmet në Kopenhagë që kishin në shënjestër një sinagogë dhe një lokal ku po mbahej një takim mbi lirinë e shprehjes janë shumë të ngjashme me ato të muajit të kaluar në Francë.

Ndërkohë që dhuna po rishfaqet në Evropë, zyrtarët amerikanë janë të shqetësuar se myslimanët e radikalizuar të cilët janë bashkuar me luftëtarët e Shtetit Islamik në Irak dhe Siri mund të kthehen fshehurazi në Shtetet e Bashkuara.

Kontrollimi i rrjedhës së terroristëve të mundshëm nga Lindja e Mesme në Shtetet e Bashkuara dhe anasjelltas është një sfidë e madhe, thotë Ndihmës Zëvendës Drejtori i FBI-së, Michael Steinbach.

"Unë nuk njoh të gjithë personat që janë me Shtetin Islamik. Por nuk i njoh të gjithë ata që kthehen. Pra, këto lëvizje nuk janë nën kontroll".

Pikërisht në këtë atmosferë pasigurie, presidenti Obama i kërkoi Kongresit një autorizim formal por të kufizuar për të luftuar Shtetin Islamik.

"Nuk është autorizim për një tjetër luftë tokësore, si ato në Afganistan dhe Irak. Në të njëjtën kohë, kjo rezolutë na jep fleksibilitetin e nevojshëm për rrethana të paparashikuara. Për shembull, në qoftë se ne kemi informacione të besueshme për një takim të udhëheqësve të ISIL-it, dhe partnerët tanë nuk e kanë kapacitetin për të ndërmarrë një sulm, unë mund të urdhërin përdorimin e forcave speciale".

Kongresi është i bashkuar në dëshirën për ta mposhtur Shtetin Islamik. Por shumë republikanë mendojnë se presidenti Obama dhe pasardhësi i tij, duhet të kenë një dorë më të lirë në luftën kundër Shtetit Islamik:

"Ne jemi në mes të një lufte, por presidenti i ka duart e lidhura dhe synon ta kufizojë veten më tej me propozimin që na ka sjellë", thotë kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner.

Për ligjvënësit demokratë, si kongresmeni Adam Schiff, autorizimi i propozuar nga Presidenti është tepër i papërcaktuar...

"Mendoj se është shumë e rëndësishme që të gjejmë një rrugë për miratimin e autorizimit. Por unë mendoj se është e rëndësishme që ta bëjmë këtë me disa shpjegime e jo ashtu si 14 vjet më parë".

Ligjvënësit këtë javë do të dëgjojnë mendimet e votuesve në distriktet e tyre për një larmi temash, duke përfshirë edhe luftën kundër Shtetit Islamik. Diskutimet mbi mbrojtjen e Amerikës do të fillojnë javën e ardhshme, kur ligjvënësit të merren me një çështje më emergjente,financimin e operacioneve të brendshme të sigurisë, buxheti i të cilave skadon në fund të muajit.

* Ky material u publikua fillimisht në VOA.


XS
SM
MD
LG