Ndërlidhjet

Vetëm pesë muaj pas shpalljes së pavarësisë se Kosovës, në vitin 2008, në Bruksel është mbajtur Konferenca e Donatorëve, që në atë botë vlerësohej shpresa kryesore për rritjen ekonomike dhe përmirësimin e mirëqenies sociale të qytetarëve te Kosovës.

Shuma e përgjithshme e mjeteve të premtuara në Konferencë ishte 1.2 miliard euro.

Komisioni Evropian kishte dhënë 500 milionë euro, Shtetet e Bashkuara të Amerikës - 400 milionë dollarë, Gjermania 100 milionë euro. Ndërkaq, Norvegjia dhe Britania e Madhe kishin premtuar nga 30 milionë euro dhe Luksemburgu 15 milionë.

Por, sa janë absorbuar këto mjete, sa kanë qenë transparente dhe në cilat projekte janë shpenzuar, ekspertë për çështje ekonomike dhe deputetët në Kuvendin e Kosovës konsiderojnë se nuk ka pasur informacione zyrtare rreth shpenzimit të këtyre mjeteve.

Naser Osmani, kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa njëherësh deputet nga Lidhja Demokratike në Kuvendin e Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se në atë kohë Konferenca e Donatorëve ka qenë shumë premtuese por që në realitet nuk ka sjell përfitime të mëdha.

Ai ndërkaq thotë se disa shtete të cilat kanë premtuar mjete për Kosovën nuk kanë arritur t'i sjellin.

Pavarësisht kësaj, Osmani dyshon në orientimin e drejtë të këtyre mjeteve edhe pse siç thotë ai, legjislativi ka shumë pak informata nga qeveria rreth shpenzimit të këtyre donacioneve.

“Në veçanti janë ato donacione që shkojnë në investime kapitale apo forma tjera që ne nuk informohemi nga raportet e shpenzimeve të qeverisë dhe e kemi shumë vështirë si deputet që të flasim për këtë çështje, pasi në këtë aspekt nuk ka një transparencë të mjaftueshme”, thekson Osmani

Edhe Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në Institutin "Riinvest“, vlerëson se për shkak të krizës financiare ndërkombëtare në atë periudhë, jo të gjitha mjetet e premtuara kanë arritur në Kosovë.

Sidoqoftë, Abdixhku thotë se donacionet ndërkombëtare në Kosovë kanë ndihmuar në ndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës.

“Le të themi se pa këto donacione situata në Kosovë do të ishte më e rënduar dhe më jo stabile, pra është vërejtur një lehtësim i ambientit të përgjithshëm ekonomik në Kosovë nga këto donacione".

Por, duke e theksuar edhe një herë fatkeqësinë e Kosovës në relacion me krizën ndërkombëtare dhe rënien e fuqisë së pjesës më të madhe të këtyre vendeve aso kohe”, thekson Abdixhiku për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, vitin e kaluar zyrtarë të Ministrisë se Integrimit Evropian, ministri kjo që është përgjegjëse për koordinimin e asistencës se jashtme, duke përfshirë edhe koordinimin e mjeteve të donatorëve kanë treguar disa nga projektet që kalojnë shumë prej 10 milion eurosh.

Bashkimi Evropian, për ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë, ka shpenzuar 15.2 milionë euro. 16. 6 milionë euro ka shpenzuar Banka Botërore në fushën e gjenerimit dhe furnizimit me energjie elektrike.

Projektet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim (USAID), në fushën e decentralizimit të qeverisjes nëpër komuna, ka shpenzuar 14. 8 milionë euro, në fushën e të bërit biznes 12 milionë euro, përkrahje në modernizimin e Korporatës Energjetike të Kosovës 20. 8 milionë euro dhe fushën e sundimit të ligjit 14.9 milionë euro.

Ndërkaq, projektet e Gjermanisë në përkrahjen e sektorit të energjisë dhe minierave kanë kushtuar 32.2 milionë euro.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG