Ndërlidhjet

Konfirmohen dënimet kundër vëllezërve Navalny


Oleg dhe Aleksei Navalny

Oleg dhe Aleksei Navalny

Gjykata e qytetit të Moskës ka konfirmuar dënimet e dhëna vitin e kaluar kundër kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny, dhe vëllait të tij, Oleg.

Gjykata ka refuzuar thirrjet për lirimin e tyre, si dhe thirrjet e prokurorëve rusë që dënimet e tyre të rriten në dhjetë vjet burgim.

Vëllezërit Navalny janë dënuar për vjedhjen e 30 milionë rublave (afro 500,000 dollarë) nga dy firma, në periudhën 2008-2012.

Më 30 dhjetor, gjykata në Moskë ka dënuar Olegun me 3 vjet e gjysmë në burg, ndërsa Alekseit i ka dhënë dënim me kusht prej 3 vjetësh e gjysmë.

Aleksei Navalny ka kërkuar nga gjykata që vëllai tij të lirohet, duke thënë se ai po përdoret si “peng” nga autoritetet ruse për të bërë presion mbi aktivitetet e tij politike.

Aleksei Navalny ka premtuar se do të mbledhë 100,000 njerëz në protestën e 1 marsit kundër politikave të Kremlinit, që, sipas tij, janë duke e çuar Rusinë në krizë më të thellë ekonomike.

XS
SM
MD
LG