Ndërlidhjet

SHBA: Çmimi për Rusinë mund të rritet

  • RFE /RL

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Samantha Power.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Samantha Power.

Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Rusinë për shkelje të Marrëveshjes së Minskut.

Edhe pse Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar njëzëri rezolutën e hartuar nga Rusia për të zbatuar traktatin për armëpushim, të arritur javën e kaluar, ambasadorët kanë shkëmbyer fjalë të ashpra mes njëri-tjetrit.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Samantha Power, ka thënë se mirëpret marrëveshjen, porse Rusia duhet të dëshmojë angazhimin e saj për paqe.

“Ndaloni armatosjen e separatistëve. Ndaloni dërgimin e qindra armëve të rënda përtej kufirit, ashtu si edhe të trupave. Ndaloni të pretendoni se nuk jeni duke bërë atë që po bëni”, ka thënë Power.

Sipas saj, “Rusia nënshkruan marrëveshje dhe pastaj bën gjithçka të mundur për t’i minuar ato; Rusia mbron sovranitetin e vendeve dhe pastaj vepron sikur kufijtë e fqinjëve nuk ekzistojnë”.

Power ka thënë se është “ironike” që Rusia ka hartuar rezolutën, por, në anën tjetër, mbështet sulme të gjithanshme në Ukrainë.

Ambasadori i Rusisë në OKB, Vitaly Churkin, i ka cilësuar si “fyese” komentet e koleges amerikane.

“Që nga fillimi i krizës, Rusia ka bërë thirrje në mënyrë aktive për zgjidhje paqësore, përmes dialogut gjithëpërfshirës e transparent midis të gjitha palëve në konfliktin e brendshëm të Ukrainës”, ka thënë Chrukin.

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se “çmimi për Rusinë do të rritet, nëse vazhdon të shkelë marrëveshjen”.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se Biden, pasi ka biseduar në telefon me presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, ka dënuar ashpër “shkeljen e armëpushimit nga forcat separatiste që veprojnë së bashku me forcat ruse, në dhe përreth qytetit Debaltseve”.

Poroshenko, pas një bisedë telefonike me kancelaren gjermane, Angela Merkel, ka thënë se sulmi i rebelëve në Debaltseve është një “sulm cinik” mbi armëpushimin dhe ka bërë thirrje për përgjigje më të ashpër ndërkombëtare kundër “veprimeve tradhtare të rebelëve dhe Rusisë”.

Vëzhguesit ndërkombëtarë që monitorojnë armëpushimin, nuk janë lejuar të hyjnë në Debaltseve.

Qyteti ka rëndësi të madhe për forcat qeveritare dhe rebelët, pasi ndodhet në një pozitë që lidh Donjeckun dhe Luhanskun, provinca këto që në masë të madhe kontrollohen nga separatistët.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i ka bërë thirrje Kievit që t’iu lejojë trupave ukrainase që janë të rrethuara nga rebelët pro-rusë në Debaltseve, të ulin armët.

Putin, duke folur në Hungari, ka thënë se konflikti nuk mund të zgjidhet me “mjete ushtarake”.

“Problemi i trupave të rrethuara të Ukrainës në Debaltseve duhet të përfundojë. Detyra jonë e përbashkët është të shpëtojmë jetët e njerëzve që kanë përfunduar në këtë rrethim”, ka thënë Putin.

Ukraina dhe Perëndimi akuzojnë Rusinë për dërgimin e trupave në Ukrainë dhe për ndërhyrje direkte ushtarake në konflikt – akuza këto që Moska i hedh poshtë.

Putin po ashtu ka thënë, duke mos përmendur asnjë vend të veçantë, se Perëndimi tashmë është duke furnizuar me armë forcat qeveritare të Ukrainës.

Kombet e Bashkuara kanë thënë të martën se lufta në lindje të Ukrainës ka marrë mbi 5,600 jetë njerëzish dhe ka zhvendosur mbi një milion të tjerë. (v.tela)

XS
SM
MD
LG