Ndërlidhjet

logo-print

Jahjaga e Hahn bisedojnë për migrimin dhe liberalizimin e vizave


Prishtinë, 18 shkurt 2015.

Prishtinë, 18 shkurt 2015.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur sot komisionarin e Bashkimit Evropian për politikat e fqinjësisë dhe negocim të zgjerimit, Johannes Hahn.

Në këtë takim, sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Presidentes Jahjaga, është biseduar për perspektivën evropiane të Kosovës, përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit - MSA.

Po ashtu, temë diskutimi është thënë se kanë qenë edhe migrimi ilegal i qytetarëve të Kosovës, si dhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Republikën e Serbisë, përmes dialogut që po zhvillohet në Bruksel.

Presidentja Jahjaga është zotuar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për përmbushjen e reformave në agjendën evropiane dhe të përshpejtimit të procesit të integrimit.

Por, ajo ka kërkuar edhe përkrahjen e Bashkimit Evropian, posaçërisht në përmbylljen e procesit të MSA-së dhe të liberalizimit të vizave.

Në anën tjetër, komisionari Hahn citohet të ketë deklaruar se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk ka asnjë lidhje me migrimin ilegal.

Sipas tij, procesi i vlerësimeve të përmbushjes së kritereve për liberalizim do të vazhdojë.

Hahn po qëndron sot në Kosovë, ku në agjendë ka edhe takime tjera me udhëheqësit e institucioneve.

XS
SM
MD
LG