Ndërlidhjet

Maqedoni: Hahn bën thirrje për hetime ndaj përgjimeve


Kriza politike duhet të zgjidhet në kuadër të institucioneve, me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike, të formohet një komitet dhe organet përgjegjëse të merren me hetimin e rastit, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, komisioneri i BE-së për politikat e fqinjësisë dhe negocim të zgjerimit, Johannes Hahn.

Duke komentuar aferën e përgjimeve, Hahn ka ftuar partitë politike që të publikojnë gjithçka që posedojnë, ndërsa organet kompetente të merren më hetimin e tyre.

Hahn ka thënë se kështu ndodhë në të gjitha shtetet, e kështu duhet të ndodhë edhe në Maqedoni, një shtet me perspektivë evropiane, por, për këtë, sipas tij, duhet që të gjitha partitë të jenë të pranishme në Kuvend dhe atje të zhvillojnë dialogun politik.

“Ne i bëjmë thirrje të gjitha partive që të zgjidhin këtë problem. Ata që i kanë materialet duhet që në tërësi t'i zbulojnë dhe të gjithëve u kemi sugjeruar që kjo çështje t'i lihet procedurave në përputhje me sundimin e së drejtës dhe të përballen në mënyrë adekuate, ashtu siç pritet nga një shtet me perspektivë evropiane“, ka deklaruar Johanes Hahn, pas takimeve që kishte zhvilluar një ditë më parë me drejtuesit e institucioneve dhe liderët e partive politike.

Kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski, nuk ka komentuar takimin, por vetëm ka theksuar se diplomatin e lartë nga Brukseli e ka njoftuar “me të vërtetën“, por “me të vërtetën“ e ka njoftuar edhe lideri i opozitës, Zoran Zaev duke i prezantuar materialet e përgjimeve dhe ndërhyrjen e qeverisë në pavarësinë e gjyqësorit.

Kryetari Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ndërkohë ka mbetur në qëndrimin e një ndërmjetësimi ndërkombëtar në zgjidhjen e krizës së rëndë politike, ide që është përmendur edhe nga vet komisioneri, Hahn.

Njohësit e çështjeve politike, nuk besojnë se kriza do të zgjidhet në kuadër të institucioneve, të cilat sipas tyre, kanë humbur besimin pas dëshmive të prezantuara nga opozita mbi ndërhyrjen e zyrtarëve të lartë në punën e gjykatave.

Ndërmjetësimi nga jashtë është i domosdoshëm, thotë Alajdin Demiri edhe pse nuk beson në këtë për shkak të kundërshtimeve që mund të paraqiten nga partia e kryeministrit, Nikolla Gruevksi, VMRO-DPMNE.

“Patjetër duhet që të ketë një ndërmjetësim të faktorit të jashtëm, posaçërisht të Bashkësisë Evropiane në drejtim të sistemimit dhe vënien në lëvizje të të gjithë instrumenteve për kapërcimin e krizës. Mirëpo, vështirë se kjo do të pranohet për arsyje se qeveria, e në veçanti VMRO-ja ka një kohë të gjatë që ndaj BE-së dhe strukturave ndërkombëtare sillet me dashakeqësi dhe mundësitë që të pranohet një ndërmjetësim i tillë, janë të vogla“, thotë Demiri.

Ai beson se kriza ndoshta mund të kapërcehet me formimin e një qeverie teknike, por pa VMRO-në për shkak të siç shprehet “delegjitimimit të politikës së saj për ndërhyrjes brutale në pavarësinë e gjyqësorit, por edhe në sfera tjera“.

I të njëjtit mendim është edhe Bojan Mariçiq nga Qendra maqedonase për Edukim Evropian.

“Në rrethanat aktuale, nuk besoj se kjo do të ndodhë pasi besimi në institucionet, përfshirë edhe Kuvendin është rrënuar në mënyrë serioze. Pra, kthimi i opozitës në Kuvend nuk do të zgjidhë problemin apo krizën e thellë politike dhe institucionale. Për diçka të tillë mund të bisedohet, por vetëm në drejtim të formimit të institucioneve të pavarura të cilat do të jenë në gjendje të zbatojnë regjistrimin, të pastrojnë listën zgjedhore dhe të zbatojnë zgjedhje të lira dhe demokratike“, thotë Mariçiq

Kriza politike në vend shënoj rritje pas publikimit nga ana e opozitës të përgjimeve masive nga ana e strukturave të sigurimit të shtetit, ku janë përfshirë mbi 20 mijë persona dhe të audio-incizimeve tjera të zyrtarëve të lartë, që ndërhynë në mënyrë brutale në pavarësinë e pushtetit gjyqësor.

Opozita ka paralajmëruar publikimin edhe të shumë dëshmive tjera, që flasin sipas saj për punën kriminale të qeverisë. Ekzekutivi mbetet në qëndrimin duke akuzuar liderin e opozitës, Zoran Zaev, për tradhti kombëtare dhe tentim për puç shtetëror, pasi sipas tyre, materialet e tilla janë siguruar nga shërbimet e huaja sekrete.

XS
SM
MD
LG