Ndërlidhjet

Pagat dhe standardi i ulët, shkaktarë të migrimit


Pagat e ulëta në Kosovë, po pamundësojnë një standard më të mirë jetësor për qytetarët e këtij vendi, thonë ekspert të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Sipas tyre, janë pagat e ulëta njëra nga arsyet që qytetarët e Kosovës po ikin nga vendi dhe po kërkojnë jetë më të mirë në vendet e Bashkimit Evropian.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, tregojnë se paga neto mesatare në Kosovë për sektorin publik është 441 euro, derisa sipas të dhënave të organizatave ekonomike në sektorin privat, paga mesatare është rreth 230 euro.

Agon Nixha, hulumtues i avancuar në Institutin “Riinevst”, tregon për Radion Evropa e Lirë, se nga anketat që kanë zhvilluar, është nxjerrë si përfundim se pagat që të punësuarit në Kosovë marrin janë të pamjaftueshme për të jetuar një jetë me standard mestar.

“Këto paga janë shumë të vogla dhe qytetarët e Kosovës me këto të ardhura e kanë të pamundur të mbijetojnë dhe ta sigurojnë bukën e gojës. Megjithatë, krahasuar me shumë qytetarë tjerë që janë të papunë, këta që punojnë qëndrojnë më mirë sesa ata që janë të pa punë. E dimë se rreth 40 për qind e qytetarëve të Kosovës janë të papunë”, thekson Nixha.

Gjatë muajve të fundit një numër i madh i qytetarëve të Kosovës janë larguar nga vendi.

Sipas rezultateve preliminare të një hulumtimi që është duke e realizuar Instituti ‘Riinvest ‘, tregon Nixha, janë pagat e ulëta dhe gjendja e vështirë ekonomike dhe sociale, arsyet kryesore që qytetarët po ikin nga Kosova për në vendet e Bashkimit Evropian.

Anketa e Buxhetit të Ekonomive Familjare për vitin 2013, rezulton se konsumi për kokë banori gjatë vitit 2013 ishte 1402 euro, që i bie jo më shumë se 116 euro në muaj, ndërsa konsumi për ekonomi familjare është 7625 euro, që në muaj është 635 euro.

Përfaqësues të organizatave joqeveritare thonë se me të ardhurat mujore që kanë familjet në Kosovë, mund të përmbushin vetëm nevojat elementare.

Kryetari Organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se duhet të përmirësohet kjo gjendje, në të kundërtën qytetarët do të vazhdojnë të lëshojnë vendin.

“Sa vlejnë këto para që qytetarët marrin si pagë mujore tregon më së miri fluksi i madh i qytetarëve që po e lëshojnë vendin. Me këto para që ata marrin mund të përmbushin vetëm nevojat elementare. Autoritetet e Kosovës duhet të marrin masa urgjente dhe ta përmirësojnë këtë gjendje ekonomike dhe sociale”, thekson ai.

Në anën tjetër, edhe qytetarët tregojnë se pagat që ata marrin, janë të pakta për të mbuluar shpenzimet.

Shqipdon Kastrati qytetar nga Prishtina, thekson se çdo muaj fuqia blerëse po bie dhe shporta e konsumit në familjen e tij është më e varfër.

“Pagat janë të ulëta për të arritur që të blesh të gjitha gjërat e nevojshme. Çmimet janë të larta. Nëse nuk janë dy apo më shumë paga në një familje vështirë se mbijeton në Kosovë”, shprehet ai.

Bazuar në të dhënat e Bankës Botërore të vitit 2014, Kosova në krahasim me vendet e rajonit, Bruto Produktin Vendor për kokë banori e ka më të ulëtin, dhe atë 3815 dollarë amerikanë.

XS
SM
MD
LG