Ndërlidhjet

Mitrovicë: Jahjaga dhe Reicher, thirrje kundër migrimit


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga së bashku me të dërguarin e posaçëm për Ballkanin, në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Ernst Reichel, vizituan komunën e Mitrovicës.

Ata biseduan me qytetarët, të cilët i shprehën atyre nevojën për hapjen e vendeve të reja të punës, për zhvillimin ekonomik të qytetit dhe për rritjen e mirëqenies për ta, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Presidencës.

Presidentja Jahjaga tha se shkoi në Mitrovicë, për të biseduar me qytetarët, duke u bërë thirrje që mos të ikin nga Kosova.

“Ne e dimë që Kosova nuk është shteti që ne kemi dëshiruar ta kemi. Por, ne 15 vite më parë kemi dalë nga një luftë e tmerrshme, që ka lënë pasojë shumë të mëdha. Ne pardje kemi bërë 7 vite të shpalljes së pavarësisë së Republikë së Kosovës. Këto janë sfida të procesit të tranzicionit, të transformimit. Këto janë sfidat e shtetndërtimit tonë", citohet të ketë thënë Jahjaga.

Ajo gjithashtu tha se “është obligim moral i gjithsecilit prej nesh, qoftë përfaqësues të institucioneve, qoftë qytetarë të afërm të gjithë këtyre qytetarëve që kanë në mendje apo kanë marrë rrugën drejt migrimit ilegal, që të bashkëbisedojmë dhe të mundohemi të përçojmë mesazhin tonë që zgjidhja nuk është në ikje".

Ambasadori Reichel tha se Gjermania nuk mund ta pranojë këtë fluks kaq të madh të qytetarëve nga Kosova dhe theksoi se "vendi i tij do ta ndihmojë Kosovën në procesin e kthimit të qytetarëve të saj. Ai tha se Gjermania do ta ndihmojë Kosovën edhe në krijimin e një perspektive ekonomike".

XS
SM
MD
LG