Ndërlidhjet

Armëpushimi në Ukrainë, vihet në pikëpyetje

  • RFE /RL

Një kryengritës pro-rus afër qytetit Debaltseve

Një kryengritës pro-rus afër qytetit Debaltseve

Ushtria ukrainase pohon se separatistët pro-rusë kanë bombarduar pozicionet e tyre në rajonin Donetsk gjatë natës, përfshirë këtu edhe fshatin Kurakhove, që gjendet në perëndim të bazës së kryengritësve në Donetsk dhe në Berdyansk, afër qytetit strategjik Mariupol, që gjendet nën kontrollin e qeverisë ukrainase.

Separatistët gjithashtu kanë raportuar sulme artilerie nga forcat ukrainase një ditë më parë dhe se kanë arritur të marrin kontrollin mbi një numër lokalitetesh përreth qytetit strategjik Debaltseve, prej nga trupat ukrainase u evakuuan më 18 shkurt, pas disa javë luftimesh të ashpra.

Sipas marrëveshjes së Minskut, e cila për synim kishte të ndale luftimet që kanë lënë të vrarë më shumë se 5,600 persona që nga prilli i vitit të kaluar, të dyja palët është dashur t’i ulin armët më 15 shkurt dhe të nisin tërheqjen e armatimit të rëndë nga linjat e frontit dy ditë më vonë.

Perëndimi ka dënuar ashpër avancimin e kryengritësve në Debaltseve, duke thënë se është shkelur armëpushimi.

Shtetet e Bashkuara kanë tërhequr vërejtjen më 19 shkurt, se nëse Rusia dhe kryengritësit vazhdojnë ta shkelin marrëveshjen që kanë nënshkruar, çmimi do të jetë më i kushtueshëm në kuptimin e izolimit.

Zëdhënësja e departamentit amerikan të shtetit, Jen Psaki, i ka bërë thirrje Rusisë, por edhe kryengritësve, “të ndalin menjëherë sulmet e tyre dhe të tërheqin armatimin e rëndë, të ndalin hyrjen e luftëtarëve dhe pajisjeve nga Rusia në Ukrainë, të lejojnë vëzhguesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë të bëjnë punën e tyre dhe të zbatojnë marrëveshjen e arritur në Minsk”.

"Shtetet e Bashkuara dënojnë sulmet e vazhdueshme nga separatistët e mbështetur prej Rusisë në dhe përreth rajonit Debaltseve, Mariupol dhe lokacioneve tjera në Ukrainën Lindore, të cilat shkelin armëpushimin dhe marrëveshjet e arritura në Minsk”, u ka thënë gazetarëve zonja Psaki.

Komandanti i lartë i NATO-s, gjenerali amerikan Philip Breedlove, është i mendimit se armëpushimi nuk ka filluar fare së zbatuari.

"Ajo çfarë po shohim në lindje të Ukrainës është se Rusia ka krijuar një armatë të frikshme, e cila është mirë e pajisur, mirë e armatosur dhe është e mbikëqyrur dhe furnizuar me armatim artilerie dhe forcë kundërajrore”, ka thënë gjenerali amerikan, gjatë një vizite në Prishtinë, më 19 shkurt.

Ukraina ndërkohë ka bërë thirrje për vendosjen e një misioni paqeruajtës të mandatuar nga Kombet e Bashkuara, për të imponuar armëpushimin e fundit, një propozim ky të cilin Rusia dhe kryengritësit e kanë refuzuar në mënyrë kategorike.

Denis Pushilin, lider i forcave kryengritëse në rajonin e Donetskut, tha se prania e paqeruajtësve ndërkombëtare do të “ishte shkelje” e marrëveshejs së Minskut.

Ajo çfarë mund të llogaritet si një shenjë pozitive për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, është prononcimi i asaj që njihet si “komisionere e të drejtave të njeriut” në Republikën e vetëshpallur Popullore të Donetskut, Darya Morozova, e cila ka thënë se këmbimi i të burgosurve ndërmjet dy palëve do të ndodh më 21 shkurt.

Kievi ende nuk e ka konfirmuar një gjë të këtillë. Këmbimi është paraparë të bëhet mbi bazën e marrëveshjes së arritur në Minsk.(a.v)

XS
SM
MD
LG