Ndërlidhjet

Gjuha rome, gjuha më e diskriminuar në Kosovë


Të premtën u shënua Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, që ka për synim të shënojë diversitetin e gjuhëve në botë. Këtë vit, Kombet e Bashkuara kanë vendosur që ditën e gjuhës amtare ta shënojnë me tematikën “Përfshirja përmes edukimit”.

Në Kosovë, komunitetet Rom, Ashkali e Egjiptas, janë ato që nuk mund ta gëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese, që të ndjekin mësimin në gjuhën e tyre amtare.

Thuhet se në Kosovë, 85 për qind e këtyre qytetarëve, nuk e kanë të kryer shkollën fillore.

Bekim Syla, nga komuniteti rom, i cili njëherit është udhëheqës i Organizatës Rome, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ky komunitet ka probleme shumë të mëdha me arsimimin, pasi që në gjuhën rome nuk ekziston mundësia e shkollimit.

"Sa i përket edukimit të komunitetit rom në Kosovë, ka probleme të mëdha. Shumica jeton në lokacionet ku shumica e popullatës është serbe. Sa i përket sistemit edukativ të Serbisë, ai nuk e parasheh t'i mësojë fëmijët romë në gjuhën rome, andaj ata shkojnë në shkollë në gjuhën serbe".

"Sa i përket sistemit të edukimit të Qeverisë së Kosovës, nuk ka fëmijë që vijojnë edukimin në gjuhën rome, por është futur si lëndë gjuha rome".

Behxhet Shala, drejtor i Këshillit për Lirinë dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, ka thënë se në pozitë më të keqe janë romët, pasi që komunitetet egjiptase dhe ashkali ndjekin mësimin në gjuhën shqipe.

"Komunitetet Rom, Ashkali, Egjiptas janë të vetmit që nuk mund t'i realizojnë deri në fund të drejtat e tyre gjuhësore, që u takojnë me kushtetutën e Kosovës. Në pozitë të vështirë janë romët, pasi që kanë një gjuhë që dallon nga gjuhët tjera, andaj ata nuk kanë mundësi të realizojnë të drejtën e tyre, ndonëse flitet që nuk ka tekste të mjaftueshme shkollore, pasi që nuk ka kuadro profesional dhe përkthyes që do t'ua mundësonin këtë të drejtë".

Në anën tjetër, Kujtim Paçaku, deputet i komunitetit rom në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se në 16 vjetët e fundi,t interesimi për shkollim në gjuhën rome ka rënë dukshëm, krahasuar me periudhën e paraluftës, ku shumë nxënës kanë mësuar për historinë dhe kulturën rome.

"Aplikimi i gjuhës rome në shkollat fillore, ka startuar në periudhën e paraluftës, ku 100 nxënës vijonin mësimin në Prizren, ku kishte elemente të historisë dhe kulturës rome. Por, prej pas luftës interesimi për shkollim në gjuhën rome bie dukshëm".

"Sot, në Prizren mësojnë rreth 40 nxënës si mësim universitar gjuhën rome. Mësimdhënësit përballen me vështirësi si me libra shkollorë, por edhe me mungesën e nxënësve".

Por, zoti Paçaku shton se gjuha rome është prezente në media.

"Mund të themi se gjuha rome është në përdorim në media, si televizione, radio dhe gazeta. Por, përmes ligjit do të kërkohet që së paku në Prizren aty ku ka më shumë romë, të njihet si gjuhë tradicionale".

Zoti Shala ndërkaq shton se romët janë të diskriminuar si komunitet.

"Shoqëria nuk ka investuar në krijimin e kushteve që të zbatohet e drejta e tyre kushtetuese për përdorimin e gjuhës në të gjitha nivelet, që nga shkollimi parafillor e deri te ai universitar. Andaj mendoj se në këtë drejtim romët janë të diskriminuar".

Ndryshe komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas, njihen zyrtarisht si komunitetete të veçanta në Kosovë, dhe sipas Kushtetutës, gëzojnë të drejtat e barabarta me të gjitha komunitetet tjera.

Në Kosovë llogariten se jetojnë deri në 40 mijë romë, ashkali dhe egjiptas.

Qeveria e Kosovës ka hartuar strategjinë për integrimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas, në dhjetor të vitit 2008, ndërsa plani i veprimit për realizimin e kësaj strategjie gjatë viteve 2009-2015, u miratua në dhjetor të vitit 2009.

XS
SM
MD
LG