Ndërlidhjet

Lideri opozitës maqedonase nga Lidhja Social Demokrate, Zoran Zaev, ka shpalosur të premten të dhëna të reja nga ato që ai i cilëson si përgjime të paligjshme, të kryera nga pushteti maqedonas.

Kësaj radhe ai ka folur për, siç ka thënë, "kurdisjen e arrestimit të liderit të Opozitës së Bashkuar për Maqedoninë", Lube Boshkovski, i cili gjatë konfliktit të armatosur në Maqedoni, ka drejtuar dikasterin e punëve të brendshme.

Në audio incizimet e prezantuara sot, Zoran Zoran tha se mund të dëgjohet shefi i shërbimeve sekrete, Sasho Mijallkov, “duke urdhëruar kryeredaktorët e televizioneve kombëtare të afërta me pushtetin si ta prezantojnë para opinionit arrestimin e Boshkovskit".

“Dëgjuat se si kanë manipuluar me gjyqësorin, por ajo që sot do ta dëgjoni është tmerr. Nga biseda do e merrni vesh se në çka krejt janë të gatshëm kushërinjtë Gruevski dhe Mijallkov. Në rastin e montuar Boshkovski, do të dëgjoni se si është përgatitur skenari për arrestimin e Lube Boshkovskit. Meqenëse bisedat i shpalosim ashtu siç janë, ju kërkojmë falje për fjalët vullgare”, ka theksuar lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev, në takimin me gazetarë të mbajtur në Shkup.

Në incizime bëhet publike biseda e ministres së puneve të brendshme, Gordana Jankullovska, duke u shprehur se “do t`i nxjerrë nga puna të gjithë ata të punësuar në MPB që kanë qenë të angazhuar në fushatën zgjedhor të Lube Boshkovskit”.

“Këta njerëz, kryeministri Nikolla Gruevski, shefi i shëbimeve sekrete, Sasho Mijallkov, dhe disa njerëz të tjerë, bashkëpunëtorë të tyre, kanë okupuar jetën e qytetarëve të Maqedonisë përmes përgjimeve të paligjshme. Pra, shohim se si i keqpërdorin institucionet, me qëllimin që dikë ta fusin në burg , për t’u ndjerë të mëdhenj, e duke shpërfillur faktin se shkelin ligjet dhe kushtetutën”, ka theksuar Zaev, duke shtuar se drejtues të këtillë të institucioneve nuk i duhen Maqedonisë.

Ndryshe në dy konferencat paraprake, ai ka publikuar se në Maqedoni janë përgjuar 20 mijë qytetarë, mes tyre edhe bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit Nikolla Gruevski, liderë dhe ministra, gazetarë dhe përfaqësues të bashkësive fetare në vend.

XS
SM
MD
LG