Ndërlidhjet

Shkup: Përgjimet, pushteti dirigjon raportimin e mediave


Ilustrim
Ilustrim

Dëshmitë e opozitës të publikuara një ditë më parë për ndërhyrjen brutale të pushtetit në punën e medieve, kanë tronditur opinionin e përgjithshëm në vend.

Prezantimi i audio-incizimeve nga bisedat e Drejtorit të Policisë Sekrete me pronarët dhe kryeredaktorët e mediave, se çfarë dhe si duhet të informojnë për ngjarje të caktuara, sipas analistëve, flet qartë se në çfarë gjendje të rëndë ndodhet liria e shprehjes në Maqedoni.

Në fakt, nga përgjimi i bisedave telefonike vërehet se si kreu i Drejtorisë për Zbulim dhe Kundërzbulim, Sasho Mijallkov, njofton media të caktuara se si do të bëhet arrestimi i ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Lube Boshkovski dhe si ato duhet të mbulojnë këtë ngjarje, apo si duhet të raportojnë për pengimin e simpatizantëve të opozitës në një miting, e shumë dëshmi tjera, që janë vlerësuar skandaloze.

“T’ju them të drejtën, deri të premten e kam ditur se ka ndërhyrje të pushtetit në punën e mediave, por nuk kam besuar se ndërhyrja e tyre është deri në këtë shkallë, domethënë kaq brutale. Dje, pas 16 vjetësh karrierë gazetarie veten e kam ndier jashtëzakonisht shumë keq, kur kam parë se si qendra të vendosjes merren me atë se çfarë dhe si duhet të shkruajnë mediat”.

“Kjo na shtyn të mendojmë se nëse ata kanë arritur deri në këtë masë të ushtrojnë diktatin e atyre, atëherë çfarë mund të kenë bërë në sferat tjera të politikës dhe të shoqërisë në përgjithësi“, thotë Ismail Sinani, njohës i çështjeve politike dhe të medias.

Edhe Zhaneta Trajkovska nga Shkolla e Lartë e Gazetarisë në Shkup, thotë se dëshmitë e prezantuara janë tmerruese që flasin qartë se në Maqedoni thuajse të gjitha mediat kontrollohen nga pushteti aktual.

“Liria e mediave në Maqedoni është brengosëse. Ne kemi media rreptësisht të kontrolluara, kemi pronarë të mediave që janë nën kontrollin e rreptë të pushtetit, kemi media të korruptuara apo të shitura në mënyrë legale me reklama shtetërore, kishin gazetarë të burgosur, kemi incidente me mediat, gazetarët ndalohen, u merren materialet, pengohen në kryerjen e obligimeve e kështu me radhë”.

“Gjithë kjo dëshmon se pushteti tenton apo tashmë kontrollon thuajse të gjitha mediat në vend. Për gjendjen, e rëndë në të cilën ndodhen mediat, flasin edhe raportet e gjithë organizatave ndërkombëtare duke e vendosur Maqedoninë në grupin e shteteve me liri të kufizuar“, thotë Trajkovska.

Ndërkohë, Ismail Sinani, për gjendjen e tillë fajtor bën edhe vetë gazetarët, që, sipas tij, në forma të ndryshme janë vetë-censuruar duke u vënë në shërbim të politikave qeverisëse, e sidomos nga viti 2006 e këndej.

Çështjen e diktatit në fillet e veta e kanë mbjellë, për fat të keq, disa gazetarë dhe sidomos, pa dashur të bëj ndasi etnike, ata të etnitetit maqedonas, duke i lavdëruar pa kurrfarë kriteri politikat qeverisëse të Nikolla Gruevskit dhe të kompanisë së tij”.

“Pas kësaj, natyrisht se Qeveria e Gruevskit e këshilluar nga një grup ogurzi, të cilët punën e kontrollit apo të censurës së fjalës së lirë e kanë çuar në një shkallë edhe më të lartë nga ajo që e kanë paramenduar gazetarët që në fillim censuronin vetveten”, thotë Sinani.

Ai shprehet i bindur se pas publikimit të dëshmive të një ditë më parë për ndërhyrjen brutale të pushtetit në punën e mediave, gjendja do të ndryshojë, por, sipas tij, kjo duhet të shërbejë edhe si mësim për të mos u përsëritur kurrë një situatë e tillë, pasi nuk e përjashton mundësinë që gazetarët që i shërbejnë pushtetit aktual, nesër të vihen në shërbim të pushtetit të ri.

“Unë kam një bindje se tani ka ardhur koha që kjo çështje përfundimisht të marrë trajektoren pozitive dhe të shkojë drejt zgjidhjes. Por, duke u bazuar në të kaluarën kam frikë se argatët e pushtetit të sotëm, mundet që nesër apo pasnesër të bëhen argatë të pushtetit të ardhshëm, cilido qoftë ai. Megjithatë, do të doja që gazetarët në përgjithësi të kishin marr mësim, por edhe politikanët dhe të mos i përsërisin gabimet e njëjta që i kanë përsëritur në këto shtatë vjetët e fundit“, vlerëson Sinani, njohës i çështjeve politike dhe të medias.

Opozita ka paralajmëruar se dëshmi të tilla do të prezantojë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa nga Qeveria mbrojtjen e vetme e kanë përqendruar në akuzën se përgjimet telefonike opozita i ka siguruar me ndihmën e shërbimeve të huaja sekrete, por pa komentuar përmbajtjen e tyre.

XS
SM
MD
LG