Ndërlidhjet

Maqedoni: Reformat në shëndetësi në drejtim të gabuar


Ilustrim
Ilustrim

Procesi i reformave në lëmin e shëndetësisë është duke ecur në drejtim të gabuar, si rrjedhojë e ndryshimeve të shpeshta ligjore, si dhe vendosjes së kuadrove joprofesionale në pozitat kyçe të institucioneve shëndetësore, vlerësojnë ekspertët e shëndetësisë në Maqedoni.

Nikolla Panovski, mjek, ish-drejtor në Fondin e Shëndetësisë, thotë se fatkeqësia më e madhe që po i ndodh sistemit shëndetësor, aktualisht, është mungesa e debatit ndërmjet mjekëve për shumë çështje, të cilat gjithnjë e më shumë shndërrohen në plagë të pashërueshme në sistemin shëndetësor në Maqedoni.

“Për fat të keq, gjithnjë e më shumë duket se një numër i caktuar i mjekëve nuk veprojnë në bazë të profesionit, në bazë të asaj që kërkohet nga ata si mjek, por thonë se nga lart kemi marrë urdhra se si të veprojmë.Kjo praqet fundin e të qënit mjek që duhet trajtuar me shumë kujdes si problem, sepse bëhet fjalë për jetë njerëzish”, vlerëson mjeku Panovski.

Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov, gjatë fillimit të këtij viti, si të arritur ka fokusuar përparimin e Maqedonisë për 11 vende në Indeksin Shëndetësisë për vitin 2014-të, duke theksuar se reformat në shëndetësi pavarësisht se paraqesin një proces të dhimbshëm, ato nuk do të ndalen.

Por, Arben Taravari, specialist i neurologjisë, konsideron se reformat nuk mund të jenë të suksesshme me implementimin e ligjeve evropiane në mungesë të kushteve elementare në shumicën e shtëpive ë shëndetit në Maqedoni.

“Përfundimisht, Maqedonia ka nevojë për reformim të sistemit shëndetësor. Por, ky reformim duhet të shkojë në vijë frontale dhe të adaptohet në kushte të Maqedonisë. Fillimisht, nevojitet të rregullohet infrastruktura shëndetësore. Duhet të përmirësohen kushtet në spitale, më pas duhet të rregullohet statusi i mjekëve”.

“Gjithsesi mungon furnizimi i mjaftueshëm me barna, patjetër duhet të investohet në strukturën informatike në institucionet shëndetësore që jo rrallëherë krijohet kaos me ‘terminin tim’ si pasojë e mungesës së internetit. Pra, ligjet duhet të sillen pasi të përmirësohen këto që numërova më lart, sepse vetëm atëherë këto ligje evropiane mund të jenë të zbatueshme”, vlerëson Taravari.

Nga ana tjetër, Lilija Collakoska, kryetare e Shoqatës së Mjekëve, të cilët punojnë në ordinanca private, konsideron se reformat janë fokusuar më shumë në aspektin teknik. Me këtë rast, mjekët janë të obliguar të mbushin formularë të shumtë për pacientë, sesa të japin shërbime cilësore për pacientët e tyre.

Collakoska fokuson dhe problemin e largimit të kuadrit shëndetësor nga vendi si pasojë e presionit të dënimeve të mëdha për mjekët në njërën anë dhe nga ana tjetër, shkaku i pagave shumë të ulëta.

“Është evidente se mjekët ikin nga Maqedonia. Mjekët ankohen se janë nën presion të theksuar të dënimeve nëse shkruajnë një numër më të madh të recetave ose japin pushime mjekësore, pra ata duke mbajtur llogari në këto dispozita të caktuara nga Ministria e Shëndetësisë dëmtojnë interesat e pacientëve”, thekson Collakoska.

Edhe Arben Taravari konsideron se pjesa më e madhe e aparaturave që janë siguruar viteve të fundit, kanë mbetur të pashfrytëzuara si pasojë e mungesës së mjekëve specialistë në lëmi të caktuara.

“Shumë aparatura të sofistikuara shëndetësore, të cilat u blenë viteve të fundit, mendoj këto 6-7 viteve të fundit, mbeten të pakonsumuara, ngase kuadri i specializuar shëndetësor është duke ikur nga Maqedonia”.

“Madje, vetëm një e dhënë flet qartë se në çfarë gjendje është shëndetësia në Maqedoni, pagesa e kujdestarisë së një mjeku në shëndetësinë terciare për një natë është vetëm 300 denarë (pesë euro), që është më pak se pagesa e mëditjes së një punëtori të thjeshtë”, shpjegon Arben Taravari, mjek specialist, duke theksuar se përfundimisht politika duhet të heqë dorë nga ndikimi në sistemin shëndetësor.

XS
SM
MD
LG