Ndërlidhjet

logo-print

Shuma e borxhit të përgjithshëm të Republikës së Kosovës, në fund të vitit 2014, ka arritur vlerën prej 582.87 milionë euro, apo 10 për qind e Bruto Produktit Vendor.

Nga kjo shumë, borxhe ndërkombëtare janë 326.35 milionë euro, kurse borxhe të brendshme 256.52 milionë euro.

Borxhi i përgjithshëm është tërësia e borxhit shtetëror dhe komunal. Ky borxh merret në emër të institucioneve qëndrore qeveritare, të cilin Republika e Kosovës është e obliguar ta paguajë.

Pavarësisht kësaj, ekspertët për çështje ekonomike, vlerësojnë se vlera e borxhit nuk është në nivel të lartë; madje konsiderojnë se autoritetet kompetente në Prishtinë, nuk kanë qenë të afta të marrin borxhe.

Berim Ramosaj, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se borxhi i përgjithshëm është simbolik dhe ekzekutivi sipas tij, duhet të jetë më i “guximshëm” për të marrë borxhe.

“Duke marrë parasysh se Kosova ka një borxh kaq të vogël, tregon se Qeveria e Kosovës ka qenë jo e aftë, të hyjë në marrëdhënie kontraktuale. Unë e arsyetoj shkallën e borxhit deri në limitet e caktuara, sepse borxhet mundësojnë zhvillimin dhe rritjen ekonomike në përgjithësi”, thekson Ramosaj.

Në raportet e institucioneve kompetente për këtë çështje, thuhet se përkundër ngritjes së lehtë, Kosova ka nivel më të ulët të borxhit të përgjithshëm të qeverisë krahasuar me vendet e rajonit.

Kurse, në Ligjin për Borxhet Publike, thuhet se në asnjë rast shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm, nuk duhet të tejkalojë 40 për qind të Bruto Prodhimit Vendor (BPV).

Edhe profesori tjetër në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, Naim Gashi, thotë se niveli i borxhit nuk është i lartë dhe nuk rrezikon stabilitetin buxhetor.

Pavarësisht kësaj, Gashi thekson se autoritetet kompetente duhet që të analizojnë mirë para se të vendosin të marrin hua dhe njëherësh sipas tij, borxhi të shpenzohet vetëm për projekte kapitale.

“Unë mendoj se ne duhet të krijojmë politika që në borxhe publike të futemi vetëm për projekte kapitale dhe projekte që gjenerojnë të ardhura për shtetin në aspektin afatgjatë, sikur ta zëmë të marrim borxhe për ndërtimin e termocentraleve dhe hidrocentraleve të reja, autostradave e të tjera, por jo të marrim borxhe për konsum apo shpenzime administrative (shërbime dhe mallra)”, tha Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, pjesa më e madhe e borxhit vazhdon të jetë ndaj Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, në kuadër të Bankës Botërore, kurse një pjesë e konsiderueshme është borxh ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG