Ndërlidhjet

Disa dhjetëra ish-pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, kanë protestuar sot në Mitrovicën e veriut, para Zyrës për Kosovë të Qeverisë së Serbisë, për shkak të, siç është thënë, mos-integrimit të tyre në Policinë e Kosovës dhe moszgjidhjes së problemit të tyre.

Ata kanë theksuar se me 31 dhjetor të vitit 2013, bazuar në rregulloren e Qeverisë së Serbisë, e cila ka dalë nga marrëveshja e Brukselit, u është ndërprerë marrëdhënia e punës në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, por me të drejtën e integrimit në Policinë e Kosovës.

Rajko Shekularac, përfaqësues i ish-pjesëtarëve të Drejtorisë së Policisë serbe në Mitrovicën e veriut, theksoi se rreth 30 policë, 74 punëtorë të drejtorisë dhe shërbimeve tjera, si dhe zjarrëfikës, nuk janë integruar në institucionet përkatëse të Kosovës.

Shekularac ka shpjeguar se një numër i këtyre ish-pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë janë dërguar në pensione të veçanta, me mundësinë për integrim në Policinë e Kosovës. Nisur nga kjo, sipas tij, protestuesit kanë tri kërkesa, të cilat do t’ia parashtrojnë zyrtarëve të Serbisë.

“Kërkojmë që menjëherë të bëhet integrimi i të gjithë punëtorëve të Drejtorisë së Policisë të Mitrovicës. Kërkesa jonë e dytë është që të gjithë ata njerëz që nuk mund të integrohen, gjegjësisht, që nuk i dëshirojnë institucionet e Prishtinës, t’iu mundësohet kthimi në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë".

"Kërkesa jonë e tretë është që pensioni i veçantë, siç e kanë karakterizuar, të shndërrohet dhe të rregullohet me ligjet e atëhershme të vlefshme për sigurimet e pensionit dhe invaliditetit, sipas ligjeve të pjesëtarëve të MPB-së të Serbisë, që shkojnë në pension dhe kontratës kolektive që ka vlejtur atëherë”, tha Shekularac.

Ndryshe, disa nga protestuesit, të cilët nuk deshën të identifikoheshin me emra, thonë se ndjehen të zhgënjyer dhe të dëshpëruar me trajtimin që u ka bërë Ministria e Punëve të brendshme e Serbisë.

“Po luftojmë për të drejtat tona. Ne jemi të mashtruar dhe po flas së pari në emrin tim personal”, tha njëra nga protestueset.

Ngjashëm thotë edhe një ish pjesëtar tjetër i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i cili thotë se ka punuar për këtë ministri deri me 31 dhjetor 2013..

“Është thënë se do të na pensionojnë dhe më pas të na integrojnë në Policinë e Kosovës. Ky edhe ka qenë kushti që njerëzit janë detyruar të nënshkruajnë”, tha protestuesi serb.

Protestuesit kanë theksuar se përgjigjjen ndaj kërkesave të tyre do ta presin deri më 1 mars dhe nëse nuk ka përgjigje pozitive, protestat do të bëhen më radikale.

Ata paralajmëruan edhe bllokimin e shkurtër të objekteve kryesore të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it në Mitrovicën e veriut, për shkak se siç kanë theksuar “janë disa gjëra që edhe ata duhet t’i shpjegojnë lidhur me çështjen e integrimit të tyre”.

Në anën tjetër, zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë theksuar se nuk do të lejojnë që institucionet të bllokohen nga kushdo dhe se kjo polici garanton zbatimin e ligjit dhe funksionalitetin e institucioneve të shtetit.

Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se procesit të integrimit në institucionet e Kosovës të ish pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i ka paraprirë marrëveshja politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Policia e Kosovës i ka kryer të gjitha obligimet që ka pasur lidhur me këtë çështje dhe të gjithë ata që i kanë përmbushur kriteret, janë integruar në Policinë e Kosovës”.

Hoxha ka shtuar se 292 ish-pjesëtar të MPB të Serbisë kanë nënshkruar kontratat me Policinë e Kosovës, ndërkaq 287 prej tyre kanë filluar punën dhe i kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë në pajtim me ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG