Ndërlidhjet

logo-print

Forcat në Ukrainë nuk tërheqin armët e rënda nga vija e frontit

  • RFE /RL

Ushtria e Ukrainës ka thënë se nuk mund të nisë tërheqjen e armëve të rënda nga vija e frontit në lindje, derisa rebelët të mos ndalojnë bombardimin e pozicioneve të saj.

Zëdhënësi i ushtrisë, Anatoliy Stelmakh, u ka thënë sot gazetarëve se rebelët nuk kanë ndaluar luftimet.

Të dyja palët kanë rënë dakord në fundjavë që të tërheqin armët e rënda së shpejti, ashtu siç e parasheh marrëveshja për armëpushim, e arritur më 12 shkurt.

Ushtria ka thënë se dy ushtarë të saj janë vrarë të dielën, ndërsa rebelët kanë raportuar një vdekje në anën e tyre.

Marrëveshja për armëpushim, e arritur në Minsk midis Ukrainës, Rusisë, Francës dhe Gjermanisë, është vënë po ashtu në rrezik javën e kaluar, pasi rebelët kanë marrë kontrollin e qytetit strategjik Debaltseve.

“Në kundërshtim me marrëveshjen e Minskut, Rusia vazhdon të armatosë militantët në Donbas. Sipas të dhënave të inteligjencës sonë, një tren ushtarak me 60 njësite të automjeteve të blinduara, përfshirë tanke, ka arritur nga territori i Federatës Ruse në rajonin e Donjeckut, më 21 shkurt”, ka thënë zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare të Ukrainës, Andriy Lysenko.

Kievi dhe Perëndimi kanë akuzuar vazhdimisht Rusinë se ndihmon separatistët në lindje të Ukrainës me armë dhe personel ushtarak. Megjithatë, Rusia i ka hedhur poshtë këto akuza.

Sipas Kombeve të Bashkuara, afro 5,700 njerëz janë vrarë dhe 1.5 milion të tjerë kanë lënë shtëpitë e tyre prejse kanë nisur luftimet prillin e kaluar, në rajonet Donjeck dhe Luhansk.

Një zëdhënës tjetër i ushtrisë ukrainase, Vladyslav Seleznyov, ka thënë po ashtu se nuk mund të ketë diskutime për tërheqje të armëve, derisa pozicionet e ushtarakëve ukrainas vazhdojnë të granatohen.

Zëdhënësi i rebelëve, Eduard Basurin, ka konfirmuar se forcat e tij dhe trupat qeveritare kanë shkëmbyer zjarr në fshatin Shyrokyne, pranë qytetit Mariupol, i cili kontrollohet nga qeveria.

Mariupoli shiheit si objektiv kryesor për separatistët.

Ish-sekretari britanik i Mbrojtjes, Liam Fox, u është bashkëngjitur disa thirrjeve ndërkombëtare që të furnizohen forcat ukrainase me armë. Ngjashëm është shprehur edhe senatori amerikan, John McCain.

“Ukrainasit nuk po kërkojnë forca amerikane në terren. Nuk bëhet fjalë për një gjë të tillë. Ata po kërkojnë armë që të mbrojnë veten. Ata janë duke u masakruar. Ushtria e tyre po shpartallohet. Ky është një kapitull i turpshëm. Turpërohem nga vendi im, nga presidenti im dhe nga vetja ime, sepse nuk kam bërë më shumë për t’i ndihmuar këta njerëz”, ka thënë McCain për rrjetin televiziv CBS.

Pikat kryesore të marrëveshjes së Minskut përfshijnë armëpushimin nga data 15 shkurt, tërheqjen e armëve të rënda brenda dy javësh, lirimin e të burgosurve dhe tërheqjen e të gjitha trupave të huaja nga territori i Ukrainës, por asnjëra nga to deri më tash nuk ka gjetur zbatim të plotë.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG