Ndërlidhjet

Debat i ashpër për Ukrainën në Këshillin e Sigurimit


Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë shkëmbyer akuza për konfliktin në Ukrainë në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka thënë se Këshilli i Sigurimit është bërë mjet për miratimin automatik të vendimeve të marra nga vendet perëndimore.
Ai ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për “metoda të neveritshme”, përfshirë edhe, siç ka thënë, “grushtshtetin jokushtetues në Ukrainë, një vit më parë”.

Lavrov i ka cilësuar ndërhyrjet e Perëndimit në Siri, Libi dhe Irak si shkelje të Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Samantha Power, ka akuzuar poashtu Moskën, për shkelje të Kartës së OKB-së me trajnimin, armatosjen dhe luftimin përkrah separatistëve, që kanë uzurpuar territorin e Ukrainës.

Ajo ka thënë se thirrjet e Moskës për respekt më të madh të sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve janë hipokrite.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Pavlo Klimkin, ka thënë se Rusia ka nisur një “luftë hibride” në vendin e tij dhe ka shtuar se Kievi mund të kërkojë mision paqeruajtës të OKB-së për të ndihmuar në mbajtjen e armëpushimit në lindje të Ukrainës.

“Është e tmerrshme që këto shkelje flagrante janë kryer nga një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i cili mban përgjegjësi të veçantë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”, ka thënë Klimkin.

Edhe ministri i Jashtëm i Lituanisë, Linas Linkevicius, ka kritikuar Moskën, duke thënë se ajo po bën përpjekje të rivizatojë kufijtë e Evropës me dhunë dhe forcë.

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, ka thënë se mënyra e vjetër e të menduarit, siç është mentaliteti i Luftës së Ftohtë, është dashur të hidhet shumë kohë më parë në koshin e plehërave të historisë.

Kina ka organizuar takimin ministror të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të vlerësuar punën e Kombeve të Bashkuara, e cila po i afrohet 70-vjetorit.

Në një tjetër zhvillim, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se lufta me Ukrainën “vështirë” se mund të ndodhë. Në një intervistë për televizionin shtetëror rus, Putin ka thënë se lufta e tillë do të ishte “një skenar apokaliptik”.

“Mendoj se një skenar i tillë apokaliptik nuk ka gjasa dhe shpresoj të mos ndodhë kurrë”, ka thënë Putin.

Ukraina, Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe shumë qeveri evropiane, kanë thënë se Rusia siguron armë, pajisje ushtarake dhe trupa për separatistët pro-rusë, të cilët luftojnë forcat qeveritare të Ukrainës në lindje të këtij vendi.
Putin i ka hedhur sërish poshtë këto akuza dhe ka thënë se është gabim që Kievi fajëson Rusinë për humbjen e forcave të Ukrainës në qytetin Debaltseve.

Përgatiti: Valona Tela

Trego komentet

XS
SM
MD
LG