Ndërlidhjet

AI analizon gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Pas zgjedhjeve parlamentare, të mbajtura në muajin qershor, Partia Demokratike e Kosovës, e udhëhequr nga Hashim Thaçi, dështoi të merrte shumicën për shkak të një koalicioni të formuar nga partitë opozitare, duke e çuar vendin në një ngërç politik.

Në dhjetor, koalicioni qeverisës u formua me Isa Mustafën e Lidhjes Demokratike të Kosovës si kryeministër. Atifete Jahjaga vazhdon të jetë presidente.

Nga muaji qershor, bisedimet për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, vazhduan vetëm në nivel teknik.

Mandati i Misionit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, u zgjat deri në muajin qershor të vitit 2016.

Sipas marrëveshjes së re, gjykatësit ndërkombëtarë nuk përbëjnë më shumicën në panelet gjyqësore në rastet e krimeve të rënda.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, në nëntor, njoftoi për një hetim të pavarur për akuzat për korrupsion kundër një gjyqtari të EULEX-it.

Dhuna ndëretnike

Tensionet ndëretnike vazhduan, sidomos në veriun me shumicë serbe. Disa politikanëve serbë iu ndalua të hyjnë në Kosovë dhe serbët e Kosovës, përfshirë të kthyerit në Klinë, në muajin tetor u sulmuan - përfshirë zjarrvënien e qëllimshme në pronat e tyre, varrezat dhe objektet fetare, gjë që u intensifikua pas ndeshjes së futbollit Serbi - Shqipëri në muajin tetor.

Në qershor, pas përleshjeve të Policisë së Kosovës me protestuesit shqiptarë kundër mbylljes së urës mbi lumin Ibër (që ndan pjesën ku jetojnë serbët dhe shqiptarët në Mitrovicë), policia ndërkombëtare e EULEX-it përdori plumba gome për të shpërndarë protestuesit.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) e kishte ndaluar përdorimin e tyre pasi dy burra u vranë në Prishtinë në vitin 2007.

Krimet në bazë të ligjit ndërkombëtar

Në korrik, një Task Force Hulumtuese Speciale, e themeluar nga EULEX-i që të hetojë akuzat kundër anëtarëve të lartë të UÇK-së, njoftoi se individë, të paemëruar, do të akuzohen për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasje të paligjshme, rrëmbim, burgim të paligjshëm, krime të dhunës seksuale dhe zhvendosje me forcë të serbëve të Kosovës dhe civilëve shqiptarë, në mënyrë të paligjshme, në Shqipëri në vitin 1999.

Të dyshuarit do të akuzohen dhe gjykohen nga një gjykatë e posaçme, ende për t'u krijuar, jashtë Kosovës, për të siguruar mbrojtje efektive të dëshmitarëve.

Në tetor, dy dëshmitarë të mbrojtur, ranë në kundërshtim me dëshmitë e tyre origjinale gjatë rigjykimit të shtatë anëtarëve të grupit "Drenica" të ish-UÇK-së, të akuzuar për krime lufte kundër shqiptarëve në kampin Likovc, më 1998.

Rigjykimi u hap në muajin shtator për Fatmir Limajn dhe nëntë të tjerë të akuzuar për torturë dhe keqtrajtim të civilëve shqiptarë në kampin Kleçka në vitin 1999.

Ata ishin liruar në shtator të vitit 2013, pas vetëvrasjes së një dëshmitari të mbrojtur, në të cilin prokuroria mbështetste rastin.

Lideri i serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq, u arrestua që në janar; ishte paditur në gusht për nxitje për të kryer krime të luftës në vitin 1999 dhe nxitje për një vrasje të rëndë në shkurt të vitit 2000.

Krimi i luftës - dhuna seksuale

Në muajin mars, presidentja Jahjaga lansoi një këshill kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, për t'i inkurajuar ata që të ngrenë zërin për të kërkuar dëmshpërblim, duke përfshirë kompensimin, siç përcaktohet në ndryshimet ligjore të miratuara nga Kuvendi më vonë, në muajin mars.

Në qershor, Gjykata e Apelit hodhi poshtë shfajësimin e dy serbëve të Kosovës dhe i dënoi ata për përdhunimin e një vajze shqiptare 16-vjeçare në prill të vitit 1999. Ata u dënuan me 12 dhe 10 vjet burgim.

Zhdukjet e dhunshme

Të afërmit e të zhdukurve protestuan kundër dispozitave ligjore që i jepnin fund kompensimit të tyre mujor prej 135 eurosh, pasi trupi i anëtarit të familjes së tyre gjendet.

Deri në muajin nëntor, 1,655 persona mbetën të zhdukur pas konfliktit të armatosur.

Mbetjet mortore të 53 shqiptarëve të Kosovës që u zhvarrosën në Rashkë, iu kthyen famileve të tyre në tetor.

UNMIK-u dështoi të ofrojë dëmshpërblim, duke përfshirë kompensimin të afërmve të zhdukur të serbëve të Kosovës, siç rekomandohet nga Paneli Këshillues për të Drejtat e Njeriut.

Liria e shprehjes

Qeveria dhe agjencitë shtetërore ndikuan padrejtësisht mediat përmes kontributeve të mëdha për të ardhurat e tyre.

Sulmet ndaj gazetarëve hulumtues vazhduan. Visar Duriqi, gazetar nga gazeta Express, mori kërcënime serioze me vdekje, pasi kishte raportuar për grupet ekstremiste islamike.

Asociacioni i Gazetarëve shprehu shqetësime se EULEX kishte bërë presion mbi gazetarin e Kohës Ditore, Vehbi Kajtazi, i cili kishte raportuar për korrupsion të dyshuar në EULEX.

Në maj, marshimi i parë për të festuar Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë u zhvillua pa incidente.

Diskriminimi - krimet e urrejtjes

Në muajin mars, tre burra u dënuan për "Shkelje të Statusit të Barabartë të Banorëve të Kosovës", për shkak të pjesëmarrjes së tyre në sulmin e vitit 2012 gjatë promovimit të revistës “Kosovo 2.0”, që kishte të bënte me drejtimin seksual dhe identitetin.

Askush nuk u soll para drejtësisë për një sulm ndaj një qendre LGBT një ditë më pas ose për kërcënimet e bëra në vitin 2013 kundër grave mbrojtëse të të drejtave të njeriut për mbështetjen e ligjit për dëmshpërblim për të mbijetuarat e përdhunimit.

Diskriminimi - Romët

Romët, Ashkalinjë dhe Egjiptianët vazhduan të përballen me diskriminim të përhapur dhe sistematik, edhe pse disa masa për integrimin e tyre janë zbatuar.

Rreth 360 familje (1,700 individë) thuhet se kanë migruar nga Kosova nga muaji nëntor, për të kërkuar azil në Hungari.

Planet për ndërtimin e shtëpive për romët në fshatin Hereq, Gjakovë , u kundërshtuan nga banorët vendas.

Refugjatët dhe azilkërkuesit

Sipas UNHCR-së, agjencia e refugjatëve e OKB-së, 17.227 njerëz - shumica prej tyre serbë të Kosovës - mbetën të zhvendosur pas konfliktit të armatosur.

Deri më 30 nëntor, vetëm 404 pjesëtarë të komuniteteve pakicë janë kthyer vullnetarisht në Kosovë, ku kushtet për riintegrimin e tyre mbeten tejet të papërshtatshme. Deri në muajin tetor, 11.000 persona nga Kosova kanë aplikuar për azil në BE.

Përgatiti: Gresa Kraja
XS
SM
MD
LG