Ndërlidhjet

Vendimi i fundit i qeverisë për t'u tërhequr nga reformat në arsimin e lartë dhe nisjen e procedurave për miratimin e një ligji krejt të ri, me përfshirjen e të gjitha kërkesave të studentëve, vlerësohet si zbrapjse e re e ekzekutivit nga politikat e saj.

Por, vlerësimet janë të ndryshme nëse kjo tërheqje është pasojë e aferës së përgjimeve të publikuar nga opozita, apo presioneve në rritje përmes protestave me mbështetjen e sektorit civil.

Përveç nga ligji për arsimin e lartë dhe provimi shtetëror, qeveria është tërhequr edhe nga ndryshimet në ligjin për honorarët, pastaj ka pranuar dialogun me punonjësit e arsimit fillor dhe të mesëm duke pranuar kërkesat e tyre.

Albert Musliu, analist dhe përfaqësues i sektorit civil, thotë se lëshimet e këtilla të qeverisë kanë të bëjnë parasegjithash me aferën e përgjimeve. Ai mendon se qeveria tenton të minimizojë pakënaqësitë dhe forcën e saj ta përqëndroj në betejën me opozitën e cila pothuajse çdo ditë publikon afera kriminale për zyrtarët e saj.

“Ajo tenton që t'i mbyllë të gjitha kontestet tjera dhe të përqëndrohet tek problemi më i madh, siç është afera e përgjimeve nga ana e opozitës. Do të dëshiroja që kjo të jetë një vetëdijësim i qeverisë dhe një metodë e saj më gjithpërfshirëse gjatë miratimit të ligjeve, por momenti në të cilin bëhet zmbrapsja më bën të besoj se nuk bëhet fjalë për vetëdijësim se ligjet duhet të miratohen në procedura normale dhe me përfshirjen e të gjithë faktorëve".

"Më tepër e shoh si tentim që të mbyllen plagët tjera që të mund të përqëndrohen tek problemi më i madh, ai i të ashtuquajturave bomba të opozitës“, thotë Musliu.

Por, ka drejtues të organizatave tjera joqeveritare që vlerësojnë të kundërtën. Aktivistja dhe profesoresha në Universitetin e Shkupit, Katerina Kolozova thotë se sektori civil është ai që ka ndikuar më së shumti në ndryshimin e politikave të qeverisë, apo tërheqjen e saj nga shumë zgjidhje ligjore, të cilat fillimisht i vlerësonte si shumë të mira, por që më pas u pa se nuk janë edhe aq të mira, siç pretendonte ajo.

“Këtë, “bombën“ e opozitës po e dëgjojmë tani gjashtë muaj, por nuk pamë ndonjë kthesë shumë dramatike në sjelljen e qeverisë. Sinqerisht, mendoj se ekzekutivi ka lëshuar pe përpara presionit të qytetarëve, që është një punë normale dhe e shëndoshë për një shoqëri, kështu që nuk do të doja t'i nënvlerësoj efektet e sektorit civil dhe këtë të arritur t'ia atribuoja “bombave“ të opozitës“, thotë Kolozova.

Ajo ka shtuar se qytetarët hapën aq shumë fronte sa që e bënë të pamundur veprimin e qeverisë në mbrojtjen e politikave të saj, ndërsa fronti më i fuqishëm ishte ai i studentëve të cilët për një kohë shumë të shkurtër arritën të paralizojnë procesin mësimor në shumë fakultete. Madje, ajo vlerëson se ishin pikërisht studentët që i dhanë kurajo opozitës që të nisë me publikimin e dëshmive.

“Ne duhet t'i japim fund vlerësimit se vetëm një parti politike mund të bëj ndryshimin, apo se vetëm ajo mund të bëj presione dhe në anën tjetër të anashakalojmë lëvizjet qytetare. Nuk pajtohem me një mendin të tillë, përkundrazi vlerësoj se “bombat“ për të cilët flitet që nga shtatori i vitit të kaluar, filluan të aktivizohen falë presionit gjithnjë e në rritje të studentëve“, thotë Kolozova.

XS
SM
MD
LG