Ndërlidhjet

logo-print

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka prezantuar objektivat kryesore të programit qeverisës për mandatin katërvjeçar. Ndër tjera, ai ka thënë se do të themelohet edhe një fond për zhvillim dhe punësim për të ulur sado pak shkallën e lartë të papunësisë në vend.

Fillimisht programin qeverisës, kryeministri Mustafa e ka shpalosur para kabinetit qeverisës dhe më pas edhe gjatë një konference për gazetarë.

Programi ka pesë prioritete kryesore ku bëjnë pjesë, zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit, agjenda evropiane - duke përfshirë edhe kriteret për liberalizimin e vizave dhe reforma në arsim dhe shëndetësi.

"Ky është program i zhvillimit. Program i shpresës për një jetë më të mirë. Për stabilitet familjar dhe për mirëqenie të çdo njeriu. Vlera dhe objektivi themelor i këtij programi është një vend pune, një njeri i punësuar, një familje e sigurt ekonomikisht", ka thënë Mustafa.

Kryeministri i Kosovës nuk ka pranuar të flas për shifrat rreth punësimit që mund të sigurojë programi qeverisës dhe fondi për zhvillim e punësim.

Por, ai ka thënë se bëhet fjalë për krijimin e kushteve sa më të mira për investime dhe një mjedis më të mirë biznesor. Projektet e parapara, sipas tij, do të prezantohen edhe në konferencën e donatorëve që do të mbahet më 6 mars.

"Nuk mund të flas për numra, sepse është fjala për krijimin e kushteve të sektorit privat. Unë nuk mund të them tash se do të punësojmë 100 mijë, 120 mijë apo 200 mijë veta, por me rëndësi është që të fillojmë sepse çdo vend i ri i punës në proporcion gjeometrik, pastaj krijon edhe vende tjera të reja të punës dhe ne jemi të interesuar që këtë proporcion ta kapim në zhvillimin tonë", ka deklaruar Mustafa.

Kryeministri Mustafa ka shprehur besimin se do të arrihen disa marrëveshje edhe me shtete të zhvilluara evropiane, për të siguruar punësime sezonale për qytetarët e Kosovës në këto vende.

Ndërkaq, në parashikimet afatgjate, Mustafa ka premtuar që brenda gjashtë muajve do të hartohet edhe strategjia kombëtare për zhvillim për periudhën 2015 - 2020.

"Kjo strategji kombëtare e zhvillimit do të shoqërohej më pas me masat për përmirësimin e kapaciteteve institucionale të Kosovës për menaxhimin e politikave zhvillimore", ka theksuar Mustafa.

Kreu i Qeverisë së Kosovës, sërish u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos migrojnë paligjshëm nëpër vendet tjera, kurse ata që e kanë lëshuar vendin i ka ftuar që të kthehen.

Ndërkaq, në lidhje me kthimin e Listës Serbe në qeveri, pas vendimit të saj për ngrirjen e aktiviteteve që pasoi shkarkimin e ish-ministrit për Komunitete dhe Kthim Aleksandar Jabllanoviq, kryeministri Mustafa ka thënë se pret që edhe serbët të kthehen.

“Shpresoj që do të kthehen. Nuk kemi asnjë kusht për kthimin e tyre, ashtu siç është raportuar, mirëpo mendoj që adresa e tyre duhet të jetë këtu, sepse ata duhet të jenë pjesë e këtyre institucioneve”, ka deklaruar Mustafa.

Programin qeverisës, kryeministri Isa Mustafa pritet që t'ia prezantojë edhe Kuvendit të Kosovës.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG