Ndërlidhjet

Pasojat e ngërçit politik të vitit të kaluar, kanë filluar të shihen. Rënia e Bruto Produktit Vendor për 2.5 për qind, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, tregon se mos krijimi i institucioneve për gjashtë muaj, ka pasur ndikim negativ edhe në ekonominë e gjithëmbarshme të vendit.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se gjatë vitit të kaluar për shkak të mos krijimit të institucioneve, kishin dështuar investimet, si dhe masat që duhet të nxisin prodhimin e brendshëm.

Të gjitha këto, siç thekson Rexhepi, reflektuan në rënien e përgjithshme të Bruto Produktit Vendor.

“Kjo rënie është e pritur, duke pasur parasysh zhvillimet e vitit 2014. Në atë kohë në dukje të parë kemi pasur përshtypjen se ngërçi politik që ndodhi nga qershori i vitit të kaluar nuk do të reflektohet aq shumë, megjithatë po vërehet se ndikimi ka qenë shumë i madh”, thekson Rexhepi.

Gjatë vitit të kaluar, partitë politike për rreth gjashtë muaj nuk kishin arritur t’i krijonin institucionet e reja të dala nga zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit 2014.

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, tregojnë se Bruto Produkti Vendor ka shënuar rënie për 2.5 për qind. Të dhënat flasin për tremujorin e dytë të vitit 2014, ku bëhet një krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2013.

Kjo rënie, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është e theksuar në aktivitetet ekonomike si: furnizimi me energji elektrike, me gaz, furnizimi me ujë, industria nxjerrëse, ndërtimtaria si dhe transporti.

Rënia e Bruto Produktit Vendor prej 2.5 për qind në një ekonomi çfarë ka Kosova, është e lartë dhe shqetësuese thotë Rexhepi.

“Duke pasur parasysh nivelin e zhvillimit ekonomik, problemet sociale më të cilat Kosova përballet, çdo rënie është shqetësuese, e lëre më një rënie prej 2.5 për qind”, shton Rexhepi.

Ish ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se këto të dhëna janë të pritura, pasi që çdo gjë që është lidhur më zhvillimin ekonomik ka pasur ngecje në Kosovë.

“Investimet e huaja kanë rënë, poashtu edhe investimet e brendshme, aktiviteti i përgjithshëm ekonomik ka qenë i dobët, bilanci tregtarë poashtu. Ka pasur ngecje, kështu që këto të dhëna kanë qenë të pritura, pavarësisht deklaratave të qeveritarëve që thoshin se do të ketë ngritje”, thotë ai.

Ekonomia në Kosovë gjatë viteve të fundit nuk ka arritur të shënojë rritje ekonomike as deri në katër për qind, pavarësisht premtimeve dhe dëshirave të partive që kanë udhëhequr vendin.

Parashikimet e ekzekutivit për këtë vit për rritje ekonomike janë prej 4.0 për qind, shifër kjo që sipas Haki Shatrit është e pamjaftueshme.

“Çdo rritje ekonomike nën 5 për qind për rrethanat tona nuk garanton fillim të një kthese pozitive, po them fillim, jo zgjidhje të problemeve ekonomike siç është papunësia apo varfëria. Nën 5 për qind rritje ekonomike është e pamjaftueshme e lërë më të kemi regres siç ka ndodhur”, thekson Shatri.

Bazuar në të dhënat e Bankës Botërore të cilat janë përditësuar në shtator të vitit të kaluar, Kosova në krahasim me vendet e rajonit, Bruto Produktin Vendor për kokë banori e ka më të ulëtin dhe atë 3,815 dollarë amerikanë.

Bruto Produkti Vendor është treguesi kryesor dhe më i rëndësishëm makroekonomik në Sistemin e Llogarive Kombëtare, i cili paraqet rezultatet finale të prodhimit në të gjitha aktivitetet e njësive prodhuese rezidente.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG