Ndërlidhjet

Shkup: Gazetarët kërkojnë dorëheqjen e udhëheqësve të shtetit


Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë të enjten ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Nikolla Gruevski, ministres së Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska dhe drejtorit të Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit, Sasho Mijalkov.

Kërkesa pason dëshmitë e publikuara të mërkurën nga lideri i opozitës Zoran Zaev, i cili tha se "Qeveria e Maqedonisë ka përgjuar mbi 100 gazetarë në mënyrë të paligjshme".

Kryetari i SHGM-së Naser Selmani, tha se pavarësisht nga ajo se kush ka urdhëruar përgjimin, largimi i treshes Gruevski, Mijallkov dhe Jankullovska nga funksionet që bartin, do të ndihmojë zbardhjen e plotë të aferës së përgjimeve.

“Dhunimi i gazetarëve dhe lirisë së shtypit në një shoqëri demokatike nuk kalon pa u ndëshkuar. Ftojmë Prokurorin Publik që seriozisht t`i shqyrtojë dëshmitë e publikuara nga përgjimi i gazetarëve".

"Gruevski, Jankullovska dhe Mijalkov, obligohen të parandalojnë këtë shkelje masive të të drejtave dhe lirive kushtetuese të qytetarëve. Largimi i tyre nga funksionet që mbajnë, do të ndihmojë në zbardhjen e rastit”, është shprehur Selmani.

Ndëkohë, gazetarët të cilëve iu dorëzuan dosjet nga lideri i opozitës Zoran Zaev, duke nënvizuar se bisedat e transkriptuara të telefonatave të përgjuara janë përpunuar nga ana e Drejtorisë për Siguri dhe Zbulim pranë MPB-së, për Radion Evropa e Lirë thonë se ndjehen të tmerruar, siç janë shprehur, "nga ky veprim skandaloz i pushtetit".

“Problemi nuk qëndron vetëm në atë se janë përgjuar gazetarët, problemi është se del në pah e vërteta se komplet shteti ka qënë nën kontrollin e dy personave, përkatësisht Gruevskit dhe Mijalkovit, të cilët e kanë privatizuar këtë shtet, apo kanë tentuar ta privatizojnë duke patur njohuri për çdo veprim të çdo kujt që ka paraqitur ineteres për këta dy njerëz”, thekson kryeredaktori i televizionit kombëtar Alsat, Muhamed Zeqiri.

Ai ka shtuar se tani gazetarët duhet të jenë edhe "më këmbëngulës për të shprehur mendimin kritik ndaj çdo veprimi të qeverisë që është në dëm të interesave të qytetarëve".

Nga ana tjetër, gazetarja Meri Jordanoska nga Rjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, BIRN, thotë se në një shtet demokratik është e patolerueshme që gazetarët të pëgjohen pa urdhër të gjykatës.

“Përderisa pushteti dhe Drejtoria e Zbulimit dhe Kundërzbulimit i cilësojnë gazetarët si armiq dhe përderisa vlerësojnë se ata duhet të përgjohen, atëherë është e kuptueshme që ata e krijojnë gjithë ardhmërinë tonë, gjithë përditshmërinë tonë. Në këtë rast, kam një ndjenjë sikur ne jemi zhveshur para shtetit se gjoja po i shesim jo vetëm informatat tona private dhe zyrtare, por edhe personat me të cilët kemi biseduar", është shprehur Jordanovska.

Ndryshe, të mërkurën kryeministri Nikolla Gruevski edhe një herë ka theksuar se pas aferës së përgjimeve qëndron një shërbim i huaj.

Ai para gazetarëve ka theksuar se në Shkup ka qarkulluar edhe një aparaturë mobile që kanë përgjuar telefonat e zyrtarëve shtetërorë, por të njëjtit nuk kanë arritur t’i kapin asnjëherë organet shtetërore.

Por, ekspertët për çështje të sigurisë, thonë se është e pamundur që përgjimi në përmasa të cilat i ka bërë të njohura lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev, të bëhet për më shumë se pesë vite nga shërbime të huaja.

“Nuk ekzisojnë mundësi që shërbimet e huaja të realizojnë përgjime masovike në një vend të caktuar. Shërbimet e huaja zakonisht shënjestërojnë një ose dy pesona më së shumti, ose mund të jenë 30 persona në shtete më të mëdha".

"Deklarata se përgjimi është bërë nga qendra mobile, absolutisht nuk ka të bëjë me realitetin, sepse marrja e sinjalit thënë kushtimisht nga një “nyje e huaj” është e pamundur; kjo menjëherë mund të detektohet nga operatorët telefonik, të cilat janë të obliguar që t`i njoftojnë organet kompetente”, thekson për Radion Evropa e Lirë, Vlladimir Pivovarov, ish pjesëtar i Shërmbimeve Sekrete të Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG