Ndërlidhjet

Ndërmjetësi i OKB-së, niset drejt Damaskut


Staffan de Mistura - arkiv

Staffan de Mistura - arkiv

Kombet e Bashkuara kanë njoftuar se i deleguari special i tyre për Sirinë është nisur drejt Damaskut, për tu takuar me udhëheqës të këtij vendi për të diksutuar detaje të një plani për qytetin sirian të Aleppos.

Sipas këtij plani, propozohet një pezullim gjashtë javor i sulmeve ajrore dhe granatimit në qytetin më të madh të këtij vendi, Aleppo.

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, më 26 shkurt i ka dhënë përkrahje përpjekjeve të të deleguarit të OKB-së, Staffan de Mistura, derisa konflikti sirian po bëhet gati pesë vjeçar.

Plani i De Misturas do t’i lejonte OKB-së që të monitorojë dërgimin e pa ndërprerë të ndihmave shumë të nevojshme humanitare në një nga qarqet e qytetit të shkatërruar nga lufta.

Javën e kaluar, De Mistura ka thënë se Presidenti sirian, Bashar al Assad ka dhënë shenja të gatishmërisë për t’i dhënë një mundësi planit të OKB-së duke ngrirë sulmet në Aleppo.

Kriza në Siri ka filluar në mars të vitit 2011, me protesta kundër regjimit të Bashar Al Assadit, protesta që më pas u kthyen në luftë.

OKB vlerëson se deri më tash, 220 mijë persona e kanë humbur jetën, ndërsa 3.8 milionë të tjerë janë larguar nga ky vend për të shtetet fqinj, Jordani, Liban dhe Turqi.

XS
SM
MD
LG