Ndërlidhjet

Bazuar në një studim të ri të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe institucioneve tjera, vitet e fundit, sëmundja e fruthit ka “rilindur” në Evropë, ku numri i njerëzve të infektuar që nga viti 2007, është trefishuar.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), thotë se vaksinat kundër fruthit duhet menjëherë të shtohen në të gjithë Evropën dhe Azinë Qendrore.

Më shumë se 22 mijë raste të sëmundjes infektive janë shfaqur që nga fillimi i vitit 2014.

Rastet u raportuan në Kirgizi (7,477), Bosnjë Hercegovinë (5,340), Rusi (3,247), Gjeorgji (3,291), Itali (1,674), Gjermani (583), dhe Kazakistan (537).

Mjekët thonë se rastet e fruthit po rikthehen në Evropë, meqë njerëzit nuk e marrin me seriozitet këtë sëmundje dhe janë skeptikë për vaksinën.

Por, derisa Evropa po përballet me fruthin si epidemi, epidemiologu i Kosovës, Jusuf Dedushaj, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, thotë se 97 për qind e fëmijëve në Kosovë janë të vaksinuar, andaj si rezultat, asnjë rast i fruthit nuk është paraqitur që nga viti 2001.

Ai thotë se situata në Evropë, është e pasigurt pasi që po zhvillohen epidemi masive, si rezultat i mos përfshirjes me imunizim.

"Sa i përket Kosovës, situata është e qetë dhe që nga viti 1997 në Kosovë nuk ka pasur fruth, derisa nga viti 2001 Kosova nuk ka regjistruar asnjë rast me fruth, që është një sukses i jashtëzakonshëm i shëndetësisë së Kosovës".

"Ne vaksinimin e obliguar e mbulojmë te të gjithë fëmijët, derisa mbulesa është 97 për qind e vaksinimit, çka pengon paraqitjen e epidemive masive ose të lokalizuar", thekson Dedushaj.

Nё Kosovë, vaksinimi i obliguar kundër fruthit ka filluar nё vitin 1971, i cili e ka përmirësuar shumё gjendjen epidemike me kёtё sëmundje.

Por, pёrkundёr kёsaj, Kosova kohë më parë ka pasur njё shkallё tё lartё tё vdekshmёrisё nga fruthi.

Infektologu Izet Sadiku, thotë se viteve të fundit, në Klinikën Infektive nuk paraqiten raste me fruth si epidemi, por vetëm raste sporadike.

"Fruthi është një sëmundje infektive që sulmon kryesisht moshat e reja, mirëpo duke ju falënderuar vaksinimit të rregullt, kemi vetëm aty-këtu ndonjë rast sporadik, dhe nuk kemi pasur ndonjë rast viteve të fundit të konfirmuar".

"Edhe pse kjo sëmundje para disa dekadave në Kosovë ka qenë sëmundje që ka shkaktuar vdekjen e shumë fëmijëve,por që duke ju falënderuar vaksinimit kjo sëmundje pothuajse është zhdukur. Është sëmundje ngjitëse, por që në rast se fëmija është i vaksinuar, eliminon ngjitjen e sëmundjes", thotë Sadiku.

Zyrtarët nga OBSH-ja thonë se mbajtja e ritmit të rënies në rastet e fruthit, kërkon përpjekje të jashtëzakonshme, derisa ekspertët nuk janë ende të gatshëm që të përcaktojnë afate për zhdukjen e kësaj sëmundjeje.

Sipas infektologëve, mjekimi i sёmundjes kёrkon pёrdorimin e masave higjieniko-sanitare dhe mjekim simptomatik.

Pacientёt duhet tё qёndrojnё nё dhoma tё veçanta, nё qetësi, dhe dhoma duhet tё ajroset sa mё shumё. Fёmijёt nuk duhet tё shkojnё nё shkollё ose institucione parashkollore, për të evituar kontaktin me fëmijët tjerë.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG