Ndërlidhjet

Thaçi: Gjykata Speciale e panevojshme, por duhet ta themelojmë


Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, do të mbajnë mbledhjen e dytë të përbashkët më 23 mars. Pas Prizrenit, mbledhja e radhës do të mbahet në Tiranë.

Vendimi për këtë mbledhje është konfirmuar pas një takimi të mbajtur të premten në Prishtinë, ndërmjet zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryediplomatit të Shqipërisë, Ditmir Bushati.

Gjatë një konference të përbashkët, të dy ministrat, kanë folur edhe në lidhje me disa nga çështjet më aktuale politike. Një theks i veçantë i është kushtuar procesit të themelimit të Gjykatës Speciale për krimet e luftës në Kosovë, që vjen si rezultat i një presioni të shtuar ndërkombëtar.

Ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar me këtë rast se kjo gjykatë nuk i është nevojitur fare Kosovës, por sipas tij, ajo do të themelohet për të ruajtur partneritetin ndërkombëtar.

“Kuvendi i Kosovës tashmë ka marrë vendim me dy të tretat, për themelimin e Gjykatës Speciale. Një gjykatë kjo e panevojshme për Kosovën, por për hir të thellimit dhe ruajtjes së partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare, kemi vendosur që ta themelojmë. Kosova nuk ka asgjë për të fshehur. Ne i besojmë drejtësisë”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë, ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati ka vlerësuar se me themelimin e kësaj Gjykate, mbase mund të shuhen edhe disa dyshime që janë ngritur nga e kaluara rreth luftës në Kosovë, duke ndarë përfundimisht konceptin e luftës për liri dhe të krimeve të luftës.

“Ndoshta mund të jetë edhe një mundësi për të shuar çdo lloj hije dyshimi, apo spekulimi që është ngritur edhe në të kaluarën. Qëndrimi i autoriteteve të Kosovës ka qenë i drejtë dhe në përputhje me aspiratat euroatlantike", ka thënë Bushati.

Në vazhdim, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se cilat do të ishin pasojat e mos formimit të kësaj gjykate nga Kuvendi i Kosovës, ministri i Jashtëm Thaçi, ka thënë se në një rast të tillë, rastet e dyshuara për krimet e pretenduara të luftës, do të gjykoheshin në një gjykatë të OKB-së.

“Këtu duhet të shtrohet çështja; a është në interes të Kosovës që vetë të marrë vendim, apo çështja të shkojë në Këshillin e Sigurimit? - Nëse kjo çështje shkon në Këshillin e Sigurimit atëherë do të hapeshin tema tjera, të cilat do të jenë shumë të vështira për t'i kaluar si Kosovë dhe që do të mund të zgjasnin jo 3 - 5 vjet, por deri në 20 vjet”, ka thënë Thaçi.

Zëvendëskryeministri Thaçi, ka përsëritur edhe me këtë rast se Kosova do të padisë Serbinë për gjenocid të kryer në Kosovë.

Sidoqoftë, qëllimi i vizitës së ministrit Ditmir Bushati në Kosovë, ishte caktimi i agjendës së takimit të dytë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, që kësaj radhe do të mbahet në Tiranë më 23 mars.

Të dy qeveritë janë zotuar për bashkëpunim, posaçërisht në fushën e energjetikës, atë të infrastrukturës, në arsim, kulturë si dhe në projekte rajonale.

Ministri Bushati është pritur në takime të ndara edhe nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa, si dhe nga liderët e partive opozitare.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG