Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Ashpërsohen kriteret për taksistët


Taksitë në Maqedoni

Taksitë në Maqedoni

Taksistët në Maqedoni thonë se konkurrenca jolojale, si dhe kërkesa e fundit e dikasterit të Transportit dhe Lidhjeve për t`u pajisur me licenca të veçanta pune, ku pos njohurive për komunikacionin, nevojitet që automjetet taksi t’i përmbushin kriteret e vendeve evropiane, kanë bërë që të vështirësohet tej mase puna e tyre.

Goran Ilievski, taksist, thotë se në vend që të shpiken rregulla të reja për të zvogëluar numrin e taksive, që vetëm në qytetin e Shkupit kalojnë shifrën mbi 3,000 vozitës taksish të regjistruar, sipas tij, duhet gjetur mekanizma si të hapen vende të reja të punës. Si ekonomist i diplomuar, Goran Ilievskithotë se është detyruar të punojë si taksist sa për të siguruar ekzistencën e familjes së tij.

“Po unë jam në procedurë të marrjes së licencës së punës. Tani kërkohet të përmbushen më shumë kritere, vërtet është bërë shumë vështirë. E shihni pjesa më e madhe e shoferëve janë të rinj, në mesin tonë ka juristë, ekonomistë, dhe shumë persona të tjerë, të cilët kanë diplomuar në profesione të ndryshme, por janë të detyruar të bëjnë qoftë dhe dy tre turne, në orët e mbrëmjes kur ka më shumë punë për të mbuluar shpenzimet minimale të ditës”, tregon Ilievski që sapo ka shkelur të tridhjetat.

Edhe Shenasi Sadiku thotë se profesioni si taksist i është imponuar nga rrethanat e krijuara në vitet ‘80 në Maqedoni.

“Isha në një punë shtetërore dhe si rrjedhojë e diferencimeve, më larguan nga puna, duke mos dashur të siguroj bukën e gojës në kurbet, disa shokë më sugjeruan që të filloj punën si taksist. Pra, zgjedhja e profesionit si taksi-vozitës nuk ka qenë dëshirë e imja, por thjesht më është imponuar sa për të siguruar ekzistencën për familjen time”, rrëfen për Radion Evropa e Lirë Shenasi Sadiki, shofer taksie.

Ai shton se privatizimi i më shumë fabrikave të mëdha në Maqedoni, duke lënë një pjesë të madhe të punëtorëve pa punë, ka bërë që një pjesë e tyre zgjidhjen ta shohin si taksistë.

“Pra, kushdo që kishte një veturë në shtëpi, për të siguruar bukën e gojës për familjen e tij, si mundësi e shihte daljen për të punuar disa orë taksi-vozitës”, thekson Sadiku, taksist duke shprehur shqetësimin e tij se numri i madh i veturave taksi dhe, nga ana tjetër, kërkesat për përmbushjen emë shumë kritereve për të punuar si taksist, e vështirësojnë punën e tyre:

“Numri i madh i taksistëve ka vështirësuar punën tonë dhe në anën tjetër, kërkesat e shumta të shtetit, mendoj institucioneve kompetente, e kanë vështirësuar situatën, në të cilën gjenden taksistët”.

Por, një pjesë e taksistëve konsiderojnë se kushtet më rigoroze do të zvogëlojnë numrin e taksistëve, të cilët nuk janë të rregullt, po siç theksojnë problemi qëndron në atë se një pjesë e Inspektoriatit ende i sheh përmes gishtërinjve taksistët, të cilët punojnë ilegalisht dhe nuk paguajnë tatim.

“Testimi, edhe pse kishte rreth 400 pyetje, nuk është aq i vështirë për dikë që punon si shofer profesionist i taksive, por problemi qëndron në atë se vetëm në qytetin e Shkupit ka mbi një mijë vetura taksi, që punojnë në të zezë dhe krijojnë konkurrencë jolojale”, thotë Sajo Shemoviq, i cili ka dy dekada që punon si taksist.

Kryetari i qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, konsideron se obligimi për t’u pajisur me licenca të posaçme, do të mundësojë që saktë të dihet numri i taksi-veturave, jo vetëm në kryeqytet, por në tërë Maqedoninë duke u pamundësuar puna e atyre që qarkullojnë si taksi pa licencë.

Në këtë mënyrë mendojmë se e rrisim nivelin e kualitetit të shërbimit në transportin me taksi dhe gjithashtu e rrisim edhe sigurinë e udhëtarëve. Licenca e siguruar e punës përkatësisht çdo auto-taksist i cili do të pajiset me këtë certifikatë, do të mund të punojë si taksist individual apo mund të punësohet në kompanitë si taksist”, shprehetTrajanovski.

Ndryshe, për t’u pajisur me këtë certifikatë, kandidatët do të duhet t’i kryejnë trajnimet para personave juridik të autorizuar nga Qyteti i Shkupit dhe pastaj duhet t’i nënshtrohen provimit para komisionit, të përbërë nga tre përfaqësues të Qytetit të Shkupit dhe dy përfaqësues të taksi-kompanive. Çmimi i kësaj licence arrin në 3500 denarë (rreth 60 euro) nëse provimi jepet që në afatin e parë.

Ndërkohë, që autoritetet qeveritare kanë theksuar se me vendosjen e marrjes së certifikatave për njohjen e gjuhës angleze, si kusht që duhet plotësuar deri në vitin 2017, synohet që të krijohet një imazh më i mirë para turistëve të huaj për Maqedoninë.

XS
SM
MD
LG