Ndërlidhjet

A ishte personeli i sigurisë së Çeçenisë përgjegjës për vrasjen e Nemtsovit?

  • RFE /RL

 Ramzan Kadirov, kreu i Republikës Çeçene më 28 dhjetor 2014.

Ramzan Kadirov, kreu i Republikës Çeçene më 28 dhjetor 2014.

Liz Fuller

Për shumë njerëz, në Rusi dhe në perëndim, Kremlini është padyshim i dyshuari kryesor për vrasjen e 27 shkurtit të liderit të opozitës, Boris Nemtsov.

Por, mundësia e lidhjeve çeçene nuk duhet të hidhet poshtë, marrë parasysh kritikat e shpeshta të Nemtsovit ndaj udhëheqësit të Republikës Çeçene, Ramzan Kadyrov, dhe fakti që prej vitit 2011, personeli i sigurisë që është besnik ndaj Kadyrovit, rregullisht është përfshirë në aksione kidnapimi dhe vrasjeje në Moskë duke iu ofruar imunitetit ndaj ndëshkimit.

Njerëzit e Kadyrovit, shihen si alternativë e mundshme në vrasjen e Nemtsovit, në të mirë të presidentit rus, Vladimir Putin.

Gazeta e pavarur, “Novaya Gazeta”, i ka hulumtuar këto raporte duke u takuar me pjesëtarë të Shërbimit të Sigurisë Federale (FSB) të Rusisë.

Faqja e internetit të Kaukazit, kujton se para katër vjetësh, Kadyrovi kishte bërë thirrje për arrestimin e Nemtsovit, për shkak të rolit të tij në protestat masive të mbajtura në Moskë, në dhjetor të vitit 2010.

Nemtsov atëbotë u përgjigj duke e quajtur Kadyrovin si një person “shumë të sëmurë psikikisht”, i cili ka nevojë për trajtim urgjent mjekësor.

Nemtsovi kishte shprehur zhgënjimin që persona të tillë e kontrollojnë tërë Kaukazin, duke shtuar se shpreson që “eventualisht ai do të largohet dhe do të përgjigjet për të gjitha”.

Në maj të vitit 2014, Nemtsov ia ka kërkuar zyrtarisht Drejtorit të FSB-së, Aleksandr Bortnikov, të hetojë raportimet se personeli i sigurisë së Çeçenisë është i përfshirë në luftimet që po zhvillohen në pjesën lindore të Ukrainës, duke luftuar në të mirë të separatistëve pro-rusë.

Tash vonë, Nemtsov e ka vënë në dyshim arsyen e marshimit spektakular të personelit të sigurisë që Kadyrov e ka organizuar në Grozni, në fund të muajit dhjetor, gjatë të cilit lideri çeçen kishte thënë se i ka 10 mijë njerëz të gatshëm dhe besnik ndaj Putinit, të gatshëm të “zbatojnë çfarëdo urdhri” me qëllim që të ruhet stabiliteti në Rusi.

Nemtsov vlerësoi se Kremlini i jep Çeçenisë rreth 1 miliardë dollarë subvencione, ndërsa ka parashikuar se marrë parasysh problemet ekonomike të Rusisë, po i vjen fundi kontratës ndërmjet Kadyrovit dhe Putinit, përmes së cilës bëhet shkëmbim i parave me besnikëri.

Nemtsov është lindur në Soçi, në periferi të Kaukazit, ndërsa angazhimi i tij në Çeçi daton nga viti 1997, kur derisa ishte ministër i naftës dhe energjisë, ai dhe kryeministri Sergei Kiriyenko, së bashku e kanë bindur lidershipin çeçen të udhëhequr nga presidenti Aslan Maskhadov, që të riparojë tubacionin e naftës në mes të Bakus – Tikhoreckit dhe Novorossiskit.

Si bazë për bisedime të tilla, Nemtsov e kishe hartuar edhe një draft-plan të paqes prej pesë pikash, përmes së cilës Çeçenia do të kishte autonomi të gjerë brenda Federatës ruse, por nuk do të bëhej “kurrë” e pavarur. Në vend të kësaj, Çeçenia do të bëhej republikë parlamentare me një gjeneral civil, i cili nuk do të duhej të ishte çeçen.

Ky gjeneral do të udhëhiqte të gjitha fuqitë administrative, financiare, politike dhe ushtarake në Çeçeni.

Në dhjetor të vitit 2000, Nemtsov, atëkohë një deputet i Dumës shtetërore, dhe disa deputetë të tjerë janë takuar në Moskë me të deleguarit e Maskhadovit, me shpresën që të nisin bisedimet formale për t’i dhënë fund luftës që kishte nisur para një viti.

Kushti që gjenerali i Çeçenisë të mos jetë çeçen ishte bërë me qëllim që, nëse do të ishte pranuar dhe implementuar plani i Nemtsovit, atëherë babai i Kadyrovit, Haxhi Akhmedi, atëkohë satrap i caktuar nga Putini në këtë republikë të Kaukazit, do të ishte injoruar.

Në shtator të vitit 2001, Nemtsov e zemëroi Putinin duke udhëtuar drejt Çeçenisë për të dorëzuar kompjuterë për dy shkolla në një qark jugperëndimor të Groznit.

Putin, raportohet se më pas, i kishte dhënë ultimatum Nemtsovit, të arrijë planin e paqes me çeçenët, apo të dorëhiqej nga Duma shtetërore.

Nga ana e tij, Ramzan Kadyron, është cituar duke thënë se “nuk ka dyshim” që janë shërbimet e huaja të inteligjencës ato që e vranë Boris Nemtsovin me qëllim destabilizimin e Rusisë.(a.haraçia)

XS
SM
MD
LG