Ndërlidhjet

logo-print

Afera e përgjimeve, pasoja mbi ekonominë e Maqedonisë


Kompanitë e huaja dhe ato vendore kërkojnë ambient stabil, institucione efikase dhe sundim të së drejtës. Vetëm një një situatë të tillë, ato do të përcaktoheshin për të investuar në Maqedoni, vlerësojnë njohësit e çështjeve ekonomike duke komentuar krizën e thellë politike, e cila sipas tyre do të ketë pasoja të rënda ndaj zhvillimit ekonomik.

“Marrë në përgjithësi, stabiliteti politik ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në kapacitetet e kompanive dhe interesimin e tyre për investime në Maqedoni. Shpresoj se vendi shumë shpejtë do të dalë nga kjo gjendje në të cilën tani më një kohë të gjatë ndodhet. Për ne, është me rëndësi që Maqedonia të dalë nga e zona e të padefinurave pasi kompanitë nuk munden të bëjnë planet e parapara në aspekt të investimit të kapitalit të tyre”, thotë Antoni Peshev, nënkryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë.

I të njejtit mendim është edhe Izet Zeqiri, profesor i ekonomisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Ai gjendjen e përshkruan si kaotike me pasoja të paparashikueshme për të ardhmen e vendit.

“Maqedonia gjendet në kaos dhe normalisht se kjo situatë i vendos në dilemë jo vetëm investitorët e huaj, por edhe bizneset vendore për të investuar pasi biznesi kërkon stabilitet dhe qetësi, kështu që gjithë kjo situatë do të reflektohet shumë negativisht në zhvillimin ekonomik dhe sipas bindjes sime, në gjashtëmujorin e parë do të kemi rënie ekonomike dhe projektime makroekonomike, për një zhvillim të qëndrueshëm në Maqedoni do të jenë në pikpyetje”, thotë Zeqiri.

Marjan Nikollov, analist i çështjeve ekonomike, thotë se gjendja është e rëndë dhe zgjidhja e vetme mbetet ulja e palëve në tryzezën e bisedimeve.

“Ajo që e di me siguri është se dy palët në fund do të ulen të negociojnë, çfarëdo që të ndodhë, se a do të shkojë dikush në burg apo nuk do të shkojë, se a do të jap dikush dorëheqje apo jo, ata që do të mbeten nga dy partitë të përfshira thellë në antagonizma, do të ulen dhe të negocionojnë. Zgjidhje tjetër nuk ka”, thotë Nikollov.

Por, profesori i ekonomisë, Izet Zeqiri nuk është edhe aq optimist. Ai thotë se rasti me shembjen e ndërtesës disakatëshe për hakmarrje politike me urdhër të kryeministrit, Nikolla Gruevski, që u dëshmua nga audio-incizimet e prezantuara nga lideri i opozitës, Zoran Zaev, dëshmon se institucionet në Maqedoni janë të suspenduara duke u vënë në shërbim të plotë të pushtetit aktual.

“Influenca e madhe e ministrave, e njerëzve të veshur me pushtet në gjyqësor, tregon në të vërtetë se gjyqësia nuk është e pavarur,e kjo në realitet është shtylla kryesore për një zhvillim të mirëfilltë ekonomik dhe për investime në Maqedoni".

"Pra, klima e biznesit lidhet në mënyrë të drejtëpërdrejtë me politikat qeveritare, lidhet drejtpërdrejt me inspektimin e barabartë dhe pa diskriminim të bizneseve që nuk ke qenë praktikë këtu tek ne. Për një zhvillim ekonomik, rëndësi të madhe ka gjyqësori i pavarur në të cilin do të mund të mbështeteshin bizneset në kërkimin e drejtësisë”, thotë Zeqiri.

Edhe kryeministri Gruevski, në një paraqitje publike lidhur me ngjarjet e fundit, ka pranuar se këto zhvillime do të kenë pasoja ndaj zhvillimit ekonomik, pasi siç u shpreh, disa kompani janë interesuar për gjendjen që po mbretëron në vend.

Por, Gruevski ka thënë se fajtor për këtë është opozita, por kjo e fundit akuzat e tilla i quan absurde, pasi tani i gjithë opinioni është i njoftuar me kriminalitetin e qeverisë aktuale që ka trembur si asnjëherë më parë edhe investitorët, qofshin ata vendor apo të jashtëm.

Sipas të dhënave të Bankës Popullore, investimet e huaja gjatë vitit 2014 ishin për 21 milion euro më pak se ato të vitit 2013, por tani kjo shifër pritet të jetë shumë më e lartë.

XS
SM
MD
LG