Ndërlidhjet

logo-print

Biznesi dhe politika në Kosovë, i ofrojnë favore njëra tjetrës, vlerësojnë përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertët e çështjeve ekonomike.

Në Kosovë, thonë ata, "nuk mund të jesh i suksesshëm në biznes nëse nuk je i afërt me politikën, apo nëse nuk je pjesë e saj dhe po ashtu, nuk mund të jesh politikan nëse nuk je biznesmen".

Sipas tyre, vet fakti se shumë biznesmenë kanë hyrë në politikë, apo politikanët janë bërë biznesmenë, tregon dominimin e politikës në jetën ekonomike.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se ekonomia po keqpërdoret nga politika.

“Politika dhe biznesi janë bërë profesione të paevitueshme njëra me tjetrën, pasi që ato ushqejnë njëra - tjetrën, krijojnë favore dhe paradispozita shumë të mira, qoftë në terrenin politik, apo edhe në biznes e që është e dëmshme dhe është e ndaluar me ligjet e Kosovës. Ligji shumë qartë definon se sa politikani mund të jetë i futur në biznes dhe e kundërta, por fatkeqësia është se ai ligj nuk zbatohet”, thekson ai.

Kjo ndërlidhje ndërmjet biznesit dhe politikës, shton Rexhepi, rezulton me mbijetesën e kompanive të caktuara, por edhe me ngufatjen e bizneseve tjera.

Sipas tij, këto favorizime që bën politika për biznese të caktuara dhe anasjelltas është një dëm i madh që i bëhet vendit.

“Krijohen pozita favorizuese, pozita dhe mundësi për krijimin e monopoleve në treg. Në këto situata po i bëhet dëm i madh konkurrencës, zhvillimit, e në veçanti dëm i madh po i bëhet konsumatorit. Kjo e korrupton biznesin dhe në të njëjtën kohë edhe politikën”, vlerëson Rexhepi.

Ndryshe, në prag të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare në vitin e kaluar, partitë politike bënin “luftë” se kush po merr më shumë afaristë të kompanive të mëdha vendore në subjektet e tyre.

Zyrtarët e institucioneve në Kosovë, vazhdimisht kanë deklaruar se Qeveria nuk ka lidhje me komunitetin e biznesit, përveç se ndihmon në zhvillimin e politikave në përmirësimin e zhvillimit të aktiviteteve të tyre ekonomike.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile thonë se favoret që politika iu bën bizneseve në Kosovë dhe anasjelltas janë shqetësuese për një vend.

Petrit Zogaj, analist politik nga Lëvizja Fol, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se mungesa e funksionimit të rregullave demokratike në Kosovë, ka bërë që biznesmenët bëhen politikan dhe politikanët biznesmenë.

“Kemi parë që biznesi e sheh mbijetesën vetëm duke qenë afër ose brenda pushtetit, sikurse partitë politike e shohin veten e tyre dominante nëse janë afër ose brenda biznesit. Fatkeqësisht kjo ka ndikuar që ne të kemi institucione të dobëta, që nuk funksionojnë si duhet”, shton Zogaj.

Kompanitë që janë të ndërlidhura më politikën, thuhet se janë kompani të derivateve të naftës, kompani të ndërtimit dhe telekomunikacionit.

Sidoqoftë, detyra e kryesore e shtetit në raport me ekonominë, në çdo vend të zhvilluar, thonë ekspertët, është krijimi dhe mbarëvajtja e funksionimit të platformës ligjore dhe institucionale, mbi të cilën zhvillohet aktiviteti ekonomik.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG