Ndërlidhjet

Kur 60 vjeçarja Warda dhe familja e saj u larguan pas ardhjes së grupit të Shtetit Islamik në qytetin ku jetonin, Kobani, në muajin nëntor, ata nuk mund të merrnin asgjë më vete përpos rrobave që i kishin në trup.

"I lamë shtëpitë tona, sendet tona, makinat tona. Të vetmen gjë që ia dolëm të shpëtojmë ishte shpirti i fëmijëve tanë", thotë ajo.

Familja e Wardas kishte disa dyqane që shitnin televizorë dhe telefona, tha ajo.

Familja gjithashtu kishte në pronësi toka dhe ferma. Të gjitha këto i lanë mbrapa, kur kjo familje u detyrua të largohet për të shpëtuar jetët e tyre, duke kaluar fillimisht përmes Turqisë, pastaj duke shkuar në rajonin e Kurdistanit në Irak.

Tregimi i Wardas, apo një pjesë e tij, është treguar në një video intervistë të bërë në muajin dhjetor, nga Departamenti për Zhvillim Ndërkombëtar (DFID) i Mbretërisë së Bashkuar.

Dy milionë njerëz janë zhvendosur nga grupi i Shtetit Islamik gjatë vitit 2014, sipas DFID. Ofensiva e Shtetit Islamik në Kobani, shkaktoi që rreth 150 mijë njerëz të largohen nga qyteti dhe fshatrat përreth tij.

Ekzistojnë shifra të ndryshme që po qarkullojnë, rreth numrit të sirianëve të zhvendosur nga Kobani, me politikanët kurdë që thonë se më shumë se 200 mijë persona kanë hyrë në Turqi që nga shtatori i vitit 2014.

Vërshimi i të zhvendosurve nga kjo zonë, erdhi pasi militantët e Shtetit Islamik ekzekutuan qindra banorë, duke thënë se ishin "të pafe", term i Shtetit Islamik për këdo që nuk është mysliman.

Shumë familje, si të Wardas, u larguan me asgjë, përpos rrobave që i kishin të veshura.

"Askush nuk do ta linte shtëpinë e vetë me gëzim", tha Warda.

Familja e saj tash jeton në një kamp refugjatësh në veri të Irakut.

"Fillimisht kur erdhëm këtu, nuk kishte asgjë. Ishim në nevojë për pothuajse çdo gjë...Kur erdhëm, mendonim se do të vdisnim urie", kujton ajo. Familja kishte nevojë për ushqim, veshmbathje dhe dyshekë për të fjetur.

Derisa ndez një llambë të vogël, Warda përshkruan të ftohtin që ajo dhe familja e saj e kishin përjetuar gjatë muajve të dimrit.

"Kemi mundur të vdesim nga ai i ftohtë. Pa vajguri, as njerëzit e as kafshët nuk mund të mbijetojnë në atë të ftohtë", thotë ajo.

Agjencia për refugjatë të Kombeve të Bashkuara, UNHCR, furnizoi familjen me gjërat elementare -- sheqer, oriz, drithëra, sapunë dhe shampon, thotë Warda.

"Të paktën, tani, mund t'i ushqejmë fëmijët tanë", shton ajo.

Nga Kobani në Kurdistan: Tregimi i Wardas


Që kur Njësia Kurde për Mbrojtjen e Popullit (YPG), e mbështetur nga sulmet ajrore të udhëhequra nga SHBA-të, largoi Shtetin Islamik nga Kobani në muajin janar, disa refugjatë kanë filluar të kthehen në këtë zonë.

Rreth 25 mijë njerëz janë kthyer, por sikurse me numrin e personave të zhvendosur, askush nuk është i sigurt për numrin e saktë të të kthyerve.

Gjëja e sigurt, megjithatë, është se ata që janë kthyer, e kanë gjetur vendlindjen e tyre të sfilitur nga luftimet.

Anwar Muslim, kreu i këshillit të qytetit të Kobanit, i tha Deutsche Welles më 23 shkurt, se 70 për qind e Kobanit është shkatërruar dhe 40 për qind është tërësisht e rrënuar, veçanërisht në juglindje të qytetit.

Përgatiti: Gresa Kraja
XS
SM
MD
LG