Ndërlidhjet

Maqedoni: Policia fiton të drejtën e plumbave të gomës


Njohësit e çështjeve të sigurisë në Maqedoni thonë se ndryshimet e fundit në ligjin e policisë, me ç'rast organeve të rendit u mundësohet përdorimi i plumbave të gomës, paralizues elektrik, si mekanizma për të parandaluar dhunën, në masë të konsiderueshme plotësojnë kriteret evropiane.

Por, problemi sipas tyre qëndron në atë se një pjesë e organeve policore jo rrallë herë në praktikë kanë dëshmuar se tejkalojnë kompetencat e tyre.

“Nëse politikat ndërtohen mbi baza të mungesës së besimit dhe ky mosbesim është i dukshëm brenda politikanëve, udhëheqësve shtetëror, por edhe në mes qytetarëve, atëherë është e qartë se edhe ligjet më të mira evropiane në kushte të këtilla janë jofunksionale”, thekson Nazmi Maliqi ekspert për çështje të sigurisë.

Maliqi konsideron se problem në vete paraqet edhe mungesa e kontollit të brendshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për tejkalim kompetencash.

Arsim Sinani njohës i çështjeve të sigurisë, thotë se miratimi i ligjit në këtë moment synon të ndjellë frikë te qytetarët të cilët dëshirojnë t`u kundërvihen politikave të qeverisë.

Sipas tij është shumë në rregull që ligji i policisë është hartuar konform standardeve evropiane, por siç shprehet ai, problemi qëndron në atë se drejtuesit e institucioneve të sigurisë në shumë raste, kanë dëshmuar se veprojnë në bazë të vendimeve të krerëve të partive në pushtet dhe jo konform ligjeve.

“Nëse dikujt i jepni një mundësi, përkatësisht zgjeroni mundësinë e përdorimit të dhunës në një vend siç është Maqedonia, ku mungon liria e të shpehurit, nuk funksionon shteti ligjor, ku kemi frikësim të opozitës, përgjime, dhe nëse qytetarët nuk pajtohen me vendime dhe vendosin të protestojnë, atëherë [porosia është] ne do t`ju rrahim në të gjitha format e mundshme”, thekson Arsim Sinani.

Ndryshe kryetari i opozitës maqedonase Zoran Zaev, gjatë publikimit të përgjimeve që ai i quan “bomba”, e ka cilësuar si shumë të thellë krizën e krijuar politike në Maqedoni, duke shtuar se kryeministri Nikolla Gruevski, do të hasë në rezistencë nëse planifikon të ndërmarrë veprime kundër interesave të shtetit.

“Shpresoj që Gruevski nuk do të nisë trazira në vend. Nga veprimet që do të ndërmarrë ai do të varet se si do të dalim nga kriza”, ka theksuar Zaev.

Por, Stojan Andov, ish deputet, shprehet skeptik se në Maqedoni mund të inskenohen trazira të përmasave më të mëdha në këtë moment.

“Nuk besoj se në Maqedoni mund të inskenohen trazira të përmasave të mëdha pavarësisht tensioneve të krijuara pas publikimit të aferave, por e dini atë thënien popullore 'djalli s'ka punë tjetër pos të zezave', andaj qendra të caktuara edhe mund të tentojnë të inskenojnë trazira për të lënë nën hije aferën e përgjimeve. Besoj se ato do të jenë të përmasve të vogla pa ndonjë efekt destabilizues“, vlerëson Stojan Andov.

XS
SM
MD
LG