Ndërlidhjet

Punësim simbolik i personave me aftësi të kufizuara


Punësimi i personave më aftësi të kufizuara në sektorin privat në Kosovë, mbetet simbolik, pasi sipas përfaqësuesve të këtyre personave, ky sektor neglizhon këtë kategori të shoqërisë.

Afrim Maliqi, drejtues i organizatës joqeveritare “Hendikos” në Prishtinë, ka thënë se nuk dihet saktë se sa është numri i personave të punësuar në sektorin publik dhe privat, por megjithatë, sipas tij, ky numër është shumë i vogël.

“Arsyeja është se edhe ata disa njerëz që janë të punësuar, janë punësuar nga aplikimi i tyre individual, përmbushja e kritereve dhe kushteve, si në bizneset private po ashtu edhe në institucionet publike, e jo për shkak të zbatimit të ligjit. Nëse zbatohet ligji, ne do të kishim informata për numrin e punëtorëve si në bizneset private po ashtu edhe në institucionet shtetërore”, ka thënë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.

Në bazë të ligjeve ekzistuese në fuqi, organet e administratës shtetërore, punëdhënësit e sektorit privat dhe publik, si dhe organizatat joqeveritare janë të obliguara që me kushtet e përshtatshme të punës, t'i punësojnë personat me aftësi të kufizuara.

Sipas Ligjit për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara, secili punëdhënës është i obliguar të punësojë një person me aftësi të kufizuara në çdo pesëdhjetë punëtorë.

Në të kundërtën, punëdhënësi i cili nuk i përmbushë detyrimet, obligohet të paguajë në buxhetin e Kosovës kontributet mujore prej një për qind të shumës së pagës minimale.

Një nga kompanitë më të mëdha në vend llogaritet Kompania “ Elkos Group”, më mbi 2600 punëtor.

Endrilona Gashi, menaxhere e burimeve njerëzore në këtë kompani, thotë se ka të punësuar persona më aftësi të kufizuara, por që nuk e di numrin e saktë.

“Kompania është e interesuar të ketë të punësuar persona më aftësi të kufizuara. Paraprakisht janë të caktuara edhe pozitat në të cilat munden të punojnë punëtorët e tillë. Kur pranojmë aplikacione, i shqyrtojmë dhe në momentin e parë që kemi hapësirë t'i inkuadrojmë si staf të Elkos-it, patjetër se i kemi parasysh”, tha Gashi.

Ndryshe, në muajin tetor të vitit të kaluar, Rrjeti për Përgjegjësi të Korporatave në Kosovë, (Kosovo CSR Network), kishte filluar një iniciativë me qëllim që bizneset që operojnë në vend, të krijojnë vende të reja të punës edhe për personat më aftësi të kufizuara.

Lendita Daija, nga ky rrjet ka thënë se ka pasur disa punësime të kësaj kategorie. Ajo megjithatë thotë se jo gjithmonë kompanitë vendore hezitojnë të punësojnë këta persona, pasi në raste të caktuara personat më aftësi të kufizuara, nuk kanë kurajo që të paraqiten në tregun e punës.

“Me vetë lansimin e kësaj iniciative janë bashkangjitur shumë korporata dhe ka filluar edhe punësimi. Korporata “ Rugova” ka punësuar një person më aftësi të kufizuara, pastaj një është punësuar në “ Ferronikel” dhe një në kompaninë “ Meridian”".

"Por, e rëndësishme është se të gjitha këto punësime janë bërë me kontrata afat–gjatë dhe në formë të rregullt. Kjo dëshmon se punësimi po bëhet në mënyrë të rregullt dhe të drejtat janë në mënyrë të barabarta”, thotë Daija.

Afrim Maliqi, e konsideron të rëndësishme këtë iniciativë dhe thotë se deri më tani kanë arritur të punësohen deri në 10 persona, por që numri vazhdon të jetë i vogël.

“Është një iniciativë jashtëzakonisht e mirë, jashtëzakonisht e qëlluar, fillimi ka qenë i suksesshëm, por tash të shohim se si do të shkojë më tutje, për arsye se kuptohet në Kosovë çfarë është gjendja ekonomike dhe punësimi i njerëzve mund të ndodhë që për shkak të kësaj situate të pësojë prapë në ngecje. Megjithatë deri më tash janë punësuar 10 persona më aftësi të kufizuara të ndryshme”, tha Maliqi.

Në Kosovë, numri i personave me aftësi të kufizuara nuk dihet saktësisht, por bazuar në parimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sipas së cilës 10 deri në 15 për qind e popullatës në botë jetojnë me aftësi të kufizuara, atëherë del se në Kosovë janë mbi 170 mijë persona që i takojnë kësaj kategorie.

XS
SM
MD
LG