Ndërlidhjet

“Asgjë e re” nga Netanyahu


Benjamin Netanyahu
Benjamin Netanyahu

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka reaguar me cinizëm ndaj fjalimit të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili ka kritikuar politikën e tij ndaj Iranit.

Në një fjalim para Kongresit të SHBA-së, Netanyahu ka paralajmëruar se çdo marrëveshje që nuk e obligon Iranin të çmontojë plotësisht programin e tij bërthamor, do të ketë pasoja të rënda për të ardhmen.

Por, Obama ka thënë se Netanyahu nuk ka ofruar asnjë alternativë të besueshme.

“Me aq sa mund të them, nuk ka pasur asgjë të re”, ka thënë Obama.

Fuqitë perëndimore po bëjnë përpjekje që deri në fund të këtij muaji të arrijnë një marrëveshje me Iranin, sipas së cilës, Republika Islamike do të frentonte aktivitetet e saj bërthamore, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Perëndimi druan se Irani është duke punuar fshehurazi në krijimin e armës atomike, por Teherani thotë se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore.

“Nuk kemi ende marrëveshje. Mund të ndodhë që Irani të mos i thotë ‘po’ një marrëveshjeje të mirë. E kam thënë vazhdimisht se më mirë pa marrëveshje sesa me një marrëveshje të keqe. Por, nëse jemi të suksesshëm në negociata, do të kemi marrëveshjen më të mirë të mundshme për të ndaluar Iranin nga krijimi i armës bërthamore”, ka thënë Obama.

Vizita e liderit izraelit në Uashington ka qenë kundërthënëse nga fillimi, sepse udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve e ka ftuar atë pa u konsultuar me Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti Obama ka thënë se nuk do të takojë Netanyahun, i cili pas dy javësh do të garojë në zgjedhjet kombëtare.

Departamenti amerikan i Shtetit po ashtu ka shprehur pakënaqësi me fjalimin e Netanyahut, i cili ka thënë se sekretari John Kerry “ka konfirmuar se Irani mund të posedojë ligjërisht 190,000 centrifuga për pasurim të uraniumit në fund të çdo marrëveshjeje”.

Kjo, sipas Netanyahut, do të bënte që Irani të jetë vetëm disa javë larg arsenalit të armëve bërthamore.

Por, në reagimin e Departamentit të Shtetit thuhet se Kerry nuk e ka thënë një gjë të tillë. Kerry ka thënë se “nëse keni impiant për energji civile, që prodhon ligjërisht energji dhe nuk është kërcënim për përhapje, mund të keni deri në 190,000” centrifuga.

Ministria e Jashtme e Iranit ka thënë, në anën tjetër, se fjalët e Netanyahut kanë qenë “të mërzitshme dhe të përsëritura”.

Zëdhënësja Marzieh Afkham, ka thënë se fjalimi për “iranofobinë” ka qenë një “shfaqje mashtruese” dhe pjesë e fushatës zgjedhore të politikanëve të Tel Avivit.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG