Ndërlidhjet

Mustafa: Gjykata Speciale pastron Kosovën nga dyshimet


Isa Mustafa
Isa Mustafa

Në fund të kësaj jave ose në fillimin e javës tjetër, Qeveria e Kosovës, do të procedojë me ndryshimet kushtetuese që do të mundësojnë krijimin e Gjykatës Speciale, ka njoftuar të mërkurën kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, në një debat të organizuar nga Lëvizja Fol.

Kryeministri Mustafa, tha se Kosova ndodhet në fazën kur punët dhe përgjegjësitë e marra rreth formimit të kësaj gjykate duhet të konkretizohen.

“Është një çështje e cila nuk është e lehtë. Është një detyrim që e kemi marrë. Është një çështje që e ndihmon Kosovës, në mënyrë që ne t’i spastrojmë gjitha dyshimet lidhur me veprat e ndryshme. Unë konsideroj që nuk është çështje e drejtuar ndaj luftës së UÇK-së. Është çështje e drejtuar si e dyshimtë ndaj individëve të caktuar. Mirëpo, është një proces të cilin ne duhet ta kapërcejmë”, tha Mustafa.

Kryeministri Mustafa tha po ashtu se mos formimi i kësaj gjykate do të ishte dështim shumë i madh për Kosovën, pasi që sipas tij, vendi do të kthehejpër disa vite pas.

“Do të ishte rrezik shumë i madh të dështojmë, sepse kemi porosinë e qartë që nëse ketë nuk e bëjnë institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht Qeveria dhe Kuvendi, atëherë mund të vendoset në Këshillin e Sigurimit me kërkesën e anëtareve specifik të Këshillit të Sigurimit dhe kjo do të na kthente diku në vitin 1999. Ne nuk jemi fare të interesuar që të kthehemi pas”, tha Mustafa në debatin “Fol Hapur”.

Partitë politike opozitare në Kuvendin e Kosovës, tashmë janë shprehur kundër themelimit të kësaj Gjykate, kurse në dyshime mbeten edhe disa vota të deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Deputetja Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, njëherësh edhe kryetare e Komisionit Parlamentar për Legjislacion ka thënë se me themelimin eventual të kësaj gjykate, Kosova do të humbë tutje nga sovraniteti i saj si shtet.

"Procedurat nëpër të cilat do të kalojë ndërtimi i këtij sistemi të plotë paralel të gjyqësisë në Kosovë nga ana e Gjykatës Speciale paraqesin gurin e fundit të atij pak sovraniteti të pavarësisë që kishte Kosova. Me këtë proces nuk mbetet më asgjë nga shteti i së drejtës në një Republikë të pavarur", ka deklaruar Haxhiu.

Shefja e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Donika Kadaj-Bujupi ka thënë se projektligji i propozuar nga Ministria e Drejtësisë për themelimin e kësaj Gjykate “është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë Kosovës”.

"Republika e Kosovës dhe përfaqësuesit e qytetarëve të Kosovës nuk guxojnë ta aprovojnë një projektligj të tillë, i cili parasheh jo vetëm aktakuza për individë, por edhe në përgjithësi për kauzën tonë, për luftën e UÇK-së dhe për shtetin e Kosovës. Në Kosovë ka ndodhë gjenocidi, por këtë e ka bërë Serbia, ndërkaq projektligji, siç është sjellë, në fakt pretendon të kundërtën", ka thënë Kadaj-Bujupi.

Themelimi i këtij "mini" Tribunali Ndërkombëtar për Kosovën, ka rrjedhë në bazë të hetimeve të iniciuara nga Këshilli i Evropës, që si bazë kishin dyshimet e supozuara të zviceranit Dick Marty, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në bazë të këtyre supozimeve, prokurori amerikan Clint Williamson, ka zhvilluar edhe një hetim të gjerë.

Aktualisht, një ekip nga Kosova, i kryesuar nga ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi është në negociata me Brukselin rreth infrastrukturës ligjore e kushtetuese për formimin e Gjykatës Speciale.

Zvarritjet e themelimit të kësaj Gjykate, përveç se rrezikojnë që procesin ta kthejnë kah Këshilli i Sigurimit, sipas prokurorit Williamson rrezikojnë edhe vet dëshmitarët e rasteve që pritet të gjykohen.

XS
SM
MD
LG