Ndërlidhjet

Misioni në Shkup i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ka njoftuar se refuzon çdo lloj kontakti me gazetarin Milenko Nedellkovskin, si dhe me çdo medium, i cili i lejon atij forum për t'i shprehur mesazhet e tij që, siç thuhet, nxisin urrejtje.

Vendimi i misionit të OSBE-së, vjen pas qëndrimit të shprehur publikisht të Nedellkovskit se “një numër i madh i qytetarëve, shumica gazetarë dhe politikanë, duhet varrosur thellë në tokë dhe të mbulohen me pllakë të trashë betoni, që të mos kenë fare ndikim mbi situatën aktuale politike”.

Në reagiminin e nënshkruar nga amabasadori Ralf Breth, theksohet se “vërejtjet e Nedellkovskit paraqesin vazhdimësi të praktikës negative të gjuhës së urrejtjes, si pjesë e deklaratave të tij të rregullta".

"​Në lirinë e shprehjes dhe këmbimin e opinioneve të ndryshme ekzistojnë limite në raste kur e drejta në jetë dhe integriteti fizik i personave tjerë rrezikohet. Madje, kjo është e dëmshme për edukimin moral të gjeneratave të ardhshme në këtë shtet", thuhet në reagimin e OSBE-së..

OSBE këto qëndrime ia ka adresuar Këshillit të Etikës për Media, duke kërkuar nga ky organ të reagojë ndaj gjuhës së urrejtjes të përdorur nga Milenko Nedellkovski.

Por, Mirçe Adamçevski, bën të ditur se Këshilli i Etikës në mediume, si organ i pavarur në kuadër të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, këto ditë do të mblidhet për të shqyrtuar reagimin e fundit të OSBE-së ndaj gazetarit Nedellkovski .

Adamçevski nënvizon se Këshilli gjatë javës së kaluar ka diskutuar ndaj reagimit të gazetarëve, kur Milenko Nedellkovski në emisionin e tij në një tapet ka ngjitur portretet e politikanëve, si dhe një pjesë të kolegëve të tij gazetarë, duke i quajtur “tradhtarë të kombit maqedonas dhe njërëz që punojnë në dëm të interesave të shtetit”.

“Komisioni i cili shqyrton ankesat pranë Këshillit të Etikës së Mediave konsideron se Nedellkovski në kuadër të emisionit të tij, duke i ndarë si tradhtarë dhe patriotë politikanët dhe gazetarët, ka shkelur të gjitha parimet e gazetarisë, përkatësisht infomimit profesional".

"Ne i gjykojmë jo vetëm veprimet e Nedellokvskit, por të gjithë atyre gazetarëve që shkelin parimet etike si dhe standardet për informim të drejtë dhe profesional”, thekson Mirçe Adamçevski, kryetar i Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave, në kuadër të Këshillit të Etikës në Mediume.

Ndërkaq, në përputhje me Ligjin për përgjegjësi civile, për ofendim dhe shpifje të miratuar gjatë vitit 2012, "ofendimi konsiderohet se është i pranishëm, atëherë kur personi me qëllim që të degradojë, me deklaratë, sjellje, publikim ose në mënyrë tjetër, për një person të caktuar shpreh mendim, me të cilin cenohet nderi dhe autoriteti i tjetrit -- për të cilën vepër parashihet edhe dënim me burg".

Jovan Tërpenovski, ish prokuror, thotë se gjuha e urrejtjes e përdorur në një shtet multietnik siç është Maqedonia, shkakton dëm të madh jo vetëm tek individët konkret, të cilëve u adresohet shprehja, por pasojat mund të marrin përmasa të paparashikueshme në tërë shoqërinë.

“Në këtë rast, ndjekja penale e personave konkret që përdorin gjuhën e urrejtjes, paraqet masë preventive ndaj të gjithë atyre personave të tjerë, që në një mënyrë kanë filluar të manifestojnë gjuhë të urejtjes”, thekson Jovan Tërpenovski.

Nga ana tjetër, Sefer Tahiri, ligjërues në Fakuletin e Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, konsideron se kriza politike edhe më shumë do të nxis fjalorin e urrejtjes, veçanërisht kur bëhet fjalë për ruajtjen e pozicioneve të privilegjuara, që kanë gazetarë dhe media të caktuara, e të cilat favorizojnë politikat e qeverisë.

"Konsideroj se Shoqata e Gazetarëve, Këshilli i Etikës dhe Agjencia e Mediave dhe Shërbimeve Audio-Vizuele, duhet të veprojnë me angazhimin e tyre që të paktën të ulet në minimum përdorimi i gjuhës së urrejtjes nga gazetarë të ndryshëm, nga media të caktuara, sepse në fund përgjegjësia profesionale dhe editoriale u mbetet gazetarëve", thekson Tahiri.

Punonjësit e mediave, gjithashtu thonë se nëse prokuroria mbetet pasive ndaj të gjithë atyre të cilët përdorin gjuhë të urrejtjes, do të çojë jo vetëm në thellimin e ndasive politike, por dhe atyre etnike.

XS
SM
MD
LG