Ndërlidhjet

logo-print

Kostoja e lartë e energjisë, e papërballueshme për bizneset


Bizneset në Kosovë, në veçanti ato prodhuese, nuk po arrijë t’i përballojnë faturat e larta të energjisë elektrike.

Përfaqësues të Institutit për Hulumtime të Avancuara (GAP), kanë treguar për Radion Evropa e Lirë se gjatë takimeve që kanë pasur me bizneset, këta të fundit kanë bërë të ditur se "ndryshimi prej tarifës verore në atë dimërore, që është më i lartë, ka bërë që ata të paguajnë më shtrenjtë faturat e energjisë".

Drejtori ekzekutiv i Institutit për Hulumtime të Avancuara, Agron Demi, tregon se për të njëjtën sasi të prodhimit, bizneset detyrohen të paguajnë 50 për qind më shumë faturat e energjisë, gjatë sezonit dimëror.

“Ndryshimi prej tarifës verore në atë dimërore mund të shkojë deri në 40 mijë euro më shumë për të njëjtin prodhim apo për të njëjtën sasi të energjisë së shpenzuar. Kjo është një kosto që bizneset nuk po arrijnë ta përballojnë, andaj duhet të ndryshohet diçka”, thekson Demi.

Gjatë vitit të kaluar, Bordi i Zyrës së Rregullatorit kishte nxjerrë dy vendime për ngritje të energjisë elektrike deri në 5 për qind. Çmimet e energjisë elektrike në Kosovë sillen nga 2.54 centë deri në 10.16 centë për një kilovat.

Për bizneset në Kosovë, sipas Agron Demit, duhet të krijohen lehtësira, pasi që janë ata gjenerues të zhvillimit ekonomik dhe hapjes së vendeve të reja të punës.

“Ajo çka do të duhej të ndodhte është që bizneset të paguajnë njëjtë me konsumatorët tjerë dhe kjo tarifa dimërore të mos ekzistojë për bizneset prodhuese për shkak se bizneset nuk kanë mundësi që ta kursejnë energji elektrike gjatë dimrit, për faktin se ato do të duhet ta përdorin të njëjtën makineri prodhuese, por me një kosto shumë më të lartë”, thekson Demi.

Përveç tarifës dimërore e cila nga bizneset konsiderohet e shtrenjtë, problem tjetër që kanë theksuar bizneset, tregon Demi është edhe furnizimi jo i rregullt me energji elektrike.

Bizneset janë ankuar se në rastet kur energjia elektrike ndalet, shkakton dëme të mëdha në makinerinë prodhuese.

Edhe në hulumtimin e fundit të Odës Ekonomike të Kosovës bizneset e kishin deklaruar furnizimin jo stabil me energji elektrike dhe koston e lartë të saj, si barrierë kryesore në të bërit biznes.

Që nga viti 2001 në Kosovë janë bërë analiza nga më të ndryshmet, si nga institucionet vendore, ashtu dhe nga ato ndërkombëtare, për gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme për të përmirësuar sektorin e energjisë, por që ende nuk është arritur që Kosova të shkarkohet nga mungesa e energjisë elektrike.

Eksperti i çështjeve energjetike, Ethem Çeku në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se nuk mund të flitet për zhvillim ekonomik në Kosovë nëse kasektor të zhvilluar energjetik.

“Nëse flasim për një zhvillim ekonomik të vendit nuk mund të ketë vendi zhvillim duke blerë energji me çmime super të shtrenjta pasi që të gjitha ato e ngrehin koston e prodhimit në Kosovë. Sot Kosova është shndërruar në një treg të madh por nuk është shndërruar në një prodhues të caktuar i cili ka qenë dikur në Kosovë”, vlerëson Çeku.

Kosova, sipas ekspertëve, duhet të investojë në sistemin energjetik, pasi që bizneset kanë nevojë për stabilitet të energjisë elektrike.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG