Ndërlidhjet

logo-print

Ngecja e fiskalizimit të bizneseve në Kosovë, ka shtyrë autoritetet kompetente që të gjejnë mënyrë për përfundimin e këtij procesi, i cili ka filluar që disa vite.

Ministri i Financave në qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti, tashmë ka paralajmëruar forma stimulimi për mbështetjen e procesit të fiskalizimit.

Ai madje ka motivuar konsumatorët që pas çdo blerjeje të marrin kuponin fiskal, pasi në këtë mënyrë do t'ju kthehet një shumë e Tatimit Mbi Vlerën e Shtuar.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), - është tatimi që paguhet për mallra dhe shërbime. Norma e këtij tatimi në Kosovë është fikse prej 16 për qind, për të gjitha mallrat, pa marrë parasysh origjinën e tyre, si dhe zero për qind për mallrat të cilat i dedikohen eksportit.

Në një përgjigjeje përmes postës elektronike, zyrtarë të Ministrisë së Financave kanë thënë se “për këtë çështje, është krijuar edhe një grup punues nga Ministria e Financave ku janë të involvuar edhe përfaqësuesit e bizneseve dhe janë në përfundim e sipër të udhëzimit administrativ për arkat fiskale, që ka të bëjë me liberalizimin e tregut në këtë fushë".

"Pjesë e këtij udhëzimi, do të jetë edhe çështja sa i përket normës së kthimit të përqindjes së TVSH-së dhe periudhës kohore të mbledhjes së kuponëve fiskal nga konsumatorët”, ka thënë Muharrem Shahini, drejtor në zyrën për Informim në këtë ministri.

Ndryshe, ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve e konsiderojnë ide të mirë, praktikë kjo që zbatohet edhe në shtetet evropiane,e që ka treguar sukses.

Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se shpërblimi i konsumatorëve nga grumbullimi i kuponëve fiskal ndikon edhe në rritjen e fiskalizimit të bizneseve.

“Nëse merren praktikat e vendeve të ndryshme, siç janë disa shtete të Azisë dhe shteteve të Bashkimit Evropian, atëherë TVSH-ja mund të kthehet në përqindje me më shumë se 50 për qind, varësisht nga produkti dhe çka ka arritur. Nëse marrim Turqinë, ky shtet ka motivuar konsumatorët në vitin e parë 50 për qind, kurse viteve të tjera në vlerë prej 10 për qind”, ka shtuar ai.

Lumir Abdixhiku, drejtor në Institutin “Riinvest”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se konsumatori duke kërkuar kuponin fiskal detyron biznesin që të bëjë regjistrimin e produktit të shitur. Ai thotë se kjo është një ide që kërkon shumë dimensione.

“Duhet të ketë motive dhe iniciativa për blerësit e kuponëve fiskal dhe individëve që janë të shumtë për të funksionuar një gjë të tillë. Gjithsesi duhet të ekzistojë edhe mundësia e dënimit ndaj atyre që nuk marrin kupon fiskal. Pra, në shumë vende nuk mund të largohesh nga ndonjë pikë blerjeje pa marrë kuponin fiskal. Inspektorë tatimor madje dënojnë jo biznesin, por dënojnë edhe taksa paguesin”, tha ai.

Ndryshe, edhe pse ka vite që ka filluar procesi i fiskalizimit për bizneset e Kosovës, deri më tani as gjysma e tyre nuk janë pajisur me mjetet elektronike fiskale.

Sipas të dhënave zyrtare të vitit të kaluar, mbi 130 mijë biznese sa janë të regjistruara në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Administrata Tatimore e Kosovës ka fiskalizuar mbi 20 mijë biznese me afër 26 mijë pajisje të instaluara në këto biznese.

Procesi i fiskalizimit nuk ka qenë gjithëpërfshirës, ka qenë selektiv dhe shumë i kushtueshëm për bizneset, thotë Lumir Abdixhiku, duke shtuar se në Kosovë shumica e bizneseve që nuk janë pajisur me arka fiskale janë kompani me qarkullim të lartë.

"Përveç ndërmarrjeve publike që është dashur të jenë të obliguara me ligj, është absurde që ka shumë biznese të mëdha qoftë publike dhe private, duke përfshirë këtu edhe naftëtarët të cilët nuk lëshojnë kuponë fiskal. Pra, duke e ditur se fiskalizimi është nisur mbrapsht, është drejtuar ndaj bizneseve të cilat janë të “liga”, kurse janë lëshuar bizneset që kanë super qarkullim financiar”, thekson Abdixhiku.

Autoritetet kompetente, kanë deklaruar se do të përshpejtojnë këtë proces duke ulur çmimin e fiskalizimit dhe duke bërë liberalizimin e tregut për arkat fiskale.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG