Ndërlidhjet

logo-print

Edhe pse përfaqësuesit e Listës Serbe patën paralajmëruar se do të takohen me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, qysh në javën e kaluar, për t'u konsultuar lidhur me kthimin ose jo në institucionet e Kosovës, ky takim ende nuk ka ndodhur.

Përderisa përfaqësuesit e Listës Serbe thonë se ende nuk e dinë ndonjë datë të saktë se kur do të takohen me Vuçiqin, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka paralajmëruar se ky takim mund të ndodhë në ditët në vijim.

Gjuriq, i ka thënë televizionit publik të Serbisë, se kryeministri serb Vuçiqi “do të bisedojë me serbët e Kosovës, lidhur me presionet politike që po vazhdojnë mbi serbët” dhe se pjesëmarrja e serbëve në institucionet e Kosovës do të mbetet e ngrirë deri në zgjidhjen e këtyre problemeve.

Në anën tjetër, Vladeta Kostiq, kryetar i komunës së Graçanicës, nga Lista Serbe, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimin për kthimin ose jo në institucionet e Kosovës, do ta marrin vet përfaqësuesit e Listës Serbe, pas konsultimeve ndërmjet tyre.

Kjo, sipas tij, për faktin se ekzistojnë argumente për dhe kundër një kthimi të tyre në institucionet e Kosovës.

“Për ne janë gjithsesi të nevojshme konsultimet me përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë, do të thotë, me kryeministrin Vuçiq, por edhe konsultimet me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës apo me kryeministrin Isa Mustafa".

"Kjo për shkak se ekziston marrëveshja e koalicionit dhe disa pika nga kjo marrëveshje nuk janë respektuar. Mendojmë se respektimi i këtyre principeve duhet të jetë në nivelin më të madh dhe në raport me ato konsultime do të varet edhe vendimi i Listës Serbe”, theksoi Kostiq.

Ai shtoi se kjo në përgjithësi nënkupton që Qeveria e Kosovës, të gjitha vendimet, në të ardhmen duhet t’i sjellë në konsultim me Listën Serbe.

Por, njohësi i zhvillimeve politike nga Graçanica, Rangjel Nojkiq, vlerëson se zvarritja e një vendimi nga Lista Serbe, por edhe nga Beogradi zyrtar, më shumë bëhet, siç thotë ai, për të blerë kohë, për shkak se ende nuk janë të qarta disa çështje lidhur me Listën Serbe, statusin dhe konceptin e saj.

“Personalisht mendoj se serbët duhet sa më parë të marrin një qëndrim të qartë, gjegjësisht, të hyjnë në institucione, duke pasur parasysh që qëndrimi jashtë institucioneve nuk sjellë asgjë të mirë. Në institucione, më duket se mund të bëhet shumë më tepër".

"Por, edhe nëse nuk bëhet diçka, të paktën nga institucionet mund të udhëzohen orientime të qarta dhe sinjale ndaj bashkësisë ndërkombëtare, por edhe ndaj opinionit në Prishtinë, si dhe institucioneve, dhe në këtë mënyrë ta bartin përgjegjësinë te ta”, theksoi Nojkiq.

Ai shtoi se Lista Serbe po e humbë çdo mundësi e arsyetimit se institucionet e Prishtinës po e frenojnë integrimin e serbëve në institucione.

Ndryshe, Kostiq, ka thënë se së shpejti Lista Serbe mund të sjellë një vendim për kthim ose jo në institucione, por nuk ka saktësuar se kur kjo mund të ndodhë.

“Nuk dua të hamendësoj për data, por sinqerisht shpresoj që kjo të ndodhë në periudhë sa më të shpejtë dhe kjo nyje gordianë të zgjidhet, në mënyrë që të fillojmë ta bëjmë punën për të cilën jemi deleguar”, tha Kostiq.

Ndryshe, përfaqësuesit e Listës Serbe kanë ngrirë përfaqësimin e tyre në institucionet e Kosovës, të nivelit lokal dhe qendror, pas shkarkimit nga ana e kryeministrit Isa MustafaAleksandar Jablanoviqit nga posti i ministrit për komunitete dhe kthim.

Shkarkimi kishte ndodhur për shkak se ky i fundit, me 6 janar, i kishte quajtur "egërsira" protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG