Ndërlidhjet

logo-print

Tiranë: Çështja Doshi çon në prokurori përfaqësuesit e shtetit


Çështja e Tom Doshit, ka çuar në prokurori thuajse gjithë përfaqësuesit më të lartë të shtetit shqiptar.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, ish kryeministri Sali Berisha, deputeti Mëhill Fufi, deputeti Mark Frroku, ish prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci, janë emrat që janë thirrur për të dhënë deklarimet e tyre lidhur me rrethanat e hetimit për pretendimet e Tom Doshit se është ngritur një skemë për ta eliminuar fizikisht.

Doshi është përjashtuar ditë më parë nga Partia Socialiste, pasi kishte shpallur “luftë” kryeministrit Rama dhe Partisë Socialiste në përgjithësi.

Në ditën e përjashtimit ai akuzoi zotin Meta të jetë përfshirë në skemën e eliminimit fizik të Doshit dhe deputetit demokrat Mëhill Fufi.

Zoti Meta në fakt, ishte i pari që deponoi deklaratën mëngjesin e së premtes. Pas daljes nga prokuroria, ai para gazetarëve tha se është i gatshëm të ndihmojë hetimin kurdo që të kërkohet.

Në prokurori u paraqit edhe ministri i brendshëm Saimir Tahiri, i cili është personi i parë i vënë në dijeni nga deputeti Tom Doshi për shqetësimin që kishte pas informacioneve të marra se Ilir Metakishte paguar për ta eliminuar fizikisht.

Ministri Tahiri e ka pohuar vetë këtë fakt gjatë një konference për shtyp të mbajtur dy ditë më parë, kupranoi se e kishte takuar të paktën dy herë personin që pretendohet se do të kryente atentatin ndaj Tom Doshit.

Rreth orës 12.00 është paraqitur në prokurori kryeministri Edi Rama, e pas tij edhe edhe deputetiMark Frroku, i cili sipas dëshmisë së Tom Doshit, e ka vënë në dijeni këtë të fundit për atentatin e organizuar ndaj tij.

Policia ka ndaluar dhe po mban nën arrest me urdhër të prokurorisë, personin Durim Bami, i cili sipas zotit Doshi, është personi që do të kryente vrasjen ndaj tij, por që është penduar dhe i ka treguar skemën e vrasjes.

Ai është regjistruar nga zoti Doshi në një video prej 37 minutash, ku zbardhet skemën pretenduar e atentatit ndaj deputetit socialist.

Por policia bën me dije se Durim Bami përpara uniformave blu ka mohuar përfshirjen në këtë aferë,duke thënë se ai është mësuar nga Tom Doshi se çfarë duhet të thoshte, dhe më pas është filmuar prej tij.

Prokuroria po vazhdon ende hetimet.

XS
SM
MD
LG