Ndërlidhjet

Qeveria e Kosovës do të angazhohet maksimalisht për të shndërruar potencialin ekonomik të diasporës në një mundësi të jashtëzakonshme që kapitalin e tyre ta investojnë në Kosovë.

Kështu të paktën thuhet në programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2015 – 2018 të prezantuar ditë më parë nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Aktualisht, sipas programit të Qeverisë, dërgesat në Kosovë kapin shifrat prej 13 për qind të Bruto Produktit Vendor, ndërsa shumë pak prej tyre janë të dedikuara për investime.

Ish-ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se gjatë udhëheqjes së këtij dikasteri, ka vërejtur se ka interesim të madh tëqytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës për të investuar në Kosovë,madje në shumicën e sektorëve ekzistues.

“E kam parë interesimin e madhe të pjesëtarëve të diasporës, të cilët kanë kapacitete edhe materiale edhe ekspertizë në fusha të ndryshme. E kam parë gatishmërinë e tyre për investuar në Kosovë në fusha dhe forma të ndryshme, por që natyrisht që ka nevojë për një kompletim të infrastrukturës edhe ligjore edhe fizike në Kosovë”, thotë Makolli.

Në programin e Qeverisë thuhet se do të vazhdojë të promovojë lehtësira për diasporën për hapjen dhe fillimin e bizneseve në Kosovë dhe të ndërmarrë masa specifike legjislative duke përfshirë lirimin nga taksa në korporatë, lirimin nga detyrimet e importit, pajisjeve dhe në lëndën e parë të nevojitur për investime, zvogëlim të numrit të procedurave për marrjen e lejes së ndërtimit.

Programi, gjithashtu, parasheh edhe lehtësim të procedurave dhe ulje të çmimit për përfshirje në energji elektrike, si dhe lehtësim të procedurave për marrjen e tokës publike në shfrytëzim.

Eksperti për çështje ekonomike, Mustafë Hasani, thotë se nëse zbatohet programi qeverisës, efektet do të jenë pozitive, pasi këto lehtësi janë favorizuese për diasporën.

Hasani, i cili ka qenë edhe udhëheqës i Agjencisë për Promovimin e Investimeve të Huaja në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, konsideron se ofrimi i planit të bizneseve i gatshëm për investime, është hap i qëlluar dhe duhet të jetë i mirëpritur nga investitorët potencialë.

“Unë konsideroj se është jashtë zakonisht pozitive dhe vërtet nuk lihet në mundësinë e veprimit, por caktohet me ligj se cilat janë mundësitë, atëherë është një lehtësi shumë e madhe".

"Diaspora ka mundësi dhe potencial që të investojë në Kosovë, ata qytetarë janë të interesuar të investojnë në Kosovë. Por, duhet t’u ofrohen angazhime dhe mundësi konkrete që ata ta ndjejnë veten sigurt dhe të shohin sa fitime mund të realizojnë në Kosovë” , thekson Hasani për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, ish-ministri Ibrahim Makolli tregon sektorët, për të cilët qytetarët e Kosovës që jetojnë në diasporëjanë më të interesuar të investojnë.

“Po, thuajse nuk ka fushë që nuk kam parë interesim të mërgimtarëve për të investuar në Kosovë: si në bujqësi, në përpunim të ushqimit, industrinë e lehtë, tekstil. Kjo sepse tashmë ne kemi një numër të mërgimtarëve tanë, të cilët kanë përvoja të vendeve të ndryshme, në fusha të ndryshme dhe kanë mundësi dhe kanë shprehur interesim që diçka të tillë të investojnë edhe në Kosovë”, tregon Makolli.

Në programin e Qeverisë thuhet se Kosova konsiderohet si një nga vendet me diasporën më të madhe, me një potencial të jashtëzakonshëm për të kontribuar për zhvillimin e vendit.

Kështu që gjatë katër viteve të ardhshme duhet të rritet pjesa e remitencave që dedikohet për investime, në mënyrë që të gjenerohen vende pune dhe zhvillim ekonomik, duke përfshirë sektorin e prodhimtarisë, shërbimeve dhe të bizneseve familjare.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG