Ndërlidhjet

SHBA: Senatori Menendez akuzohet për korrupsion


Robert Menendez
Robert Menendez

Autoritetet e Shteteve të Bashkuara janë të gatshme për të paraqitur akuza për korrupsion kundër senatorit demokrat, Robert Menendez, nga Nju Xhersi, i cili ka kërkuar qëndrim më të ashpër kundër programit atomik iranian dhe intervenimit të Rusisë në Ukrainë.

Departamenti amerikan i drejtësisë ka shprehur dyshime se anëtari me ndikimin në Komitetin e Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit, e ka shfrytëzuar postin e tij për të promovuar interesa biznesore të një donatori për Partinë Demokratike në këmbim për dhurata, ka raportuar mbrëmë rrjeti televiziv, CNN.

Një zyrtar tha se akuzat pritet të paraqiten gjatë javëve të ardhshme.

Një zëdhënëse e senatorit Menendez tha se aksionet e senatorit ishin “përkatëse dhe të ligjshme” dhe se ajo nuk mund të flasë për akuza anonime, meqë “një hetim zyrtar për këtë çështje po zhvillohet”.

Zoti Menendez është angazhuar për politikë të sanksioneve agresive kundër Rusisë dhe për armatimin e qeverisë në Kiev në konflitin e saj kundër separatistëve prorusë në pjesën lindore të Ukrainës.

Po ashtu, ai kërkon imponim të sanksioneve të reja kundër Iranit, nëse negociatat ndërmjet Teheranit dhe fuqive botërore për programin atomik iranian dështojnë të prodhojnë marrëveshje finale deri në fund të qershorit.

XS
SM
MD
LG