Ndërlidhjet

Rusi: Dy të arrestuar lidhur me vrasjen e Nemtsovit


Portreti i politikanit Nemtsov në vendin ku ai është vrarë

Portreti i politikanit Nemtsov në vendin ku ai është vrarë

Dy persona të dyshuar janë arrestuar lidhur me vrajsen e politikanit opozitar rus, Boris Nemtsov, i cili është vrarë më 27 shkurt në Moskë.

Drejtori i Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB), Aleksandar Bortnikov, tha sot në televizionin Chanel One se personat Anzor Kubashev dhe Zaur Dadayev, janë arrestuar “të dyshuar se kanë kryer krim”.

Ai theksoi se të dyshuarit janë banorë të rajonit të Kaukazit.

Mëtutje, Bortnikov tha se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është informuar për këto arrestime dhe se hetimet po vazhdojnë.

I ndjeri Nemtsov, 55 vjeçar, një kohë ishte zëvendëskryeministër i Rusisë.

Ai ishte kritik i ashpër i Putinit dhe është shprehur kundër luftës në Ukrainë.

Nemtsov është vrarë vonë në mbrëmje të 27 shkurtit afër Kremlinit në Moskë.

Aktivistët opozitarë besojnë se ai është vrarë për shkak të aktivitetit të tij politik, ndërsa hetuesit rusë po zhvillojnë hetime lidhur me disa motive të mundshme.

Nga ana tjetër, agjencia Interfax ka raportuar se avokati i shoqërueses së zotit Nemtsov, në momentin kur ai ishte vrarë, Anna Durytska, ka thënë se ajo mund të thirret nga Ukraina për hetime të mëtejshme.

XS
SM
MD
LG