Ndërlidhjet

logo-print

Iniciohen ndryshimet kushtetuese për Gjykatën Speciale


Ilustrim

Ilustrim

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’i procedojë Kuvendit dy amendamentet kushtetuese, të cilat kanë të bëjnë me themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës.

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, e ka cilësuar këtë si një vendim të vështirë, por, siç ka thënë ai, Gjykata Speciale ka të bëjë me individët dhe jo me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjykata Speciale, sipas Mustafës, duhet të themelohet për të përmbushur edhe një obligim ndërkombëtar që ka marrë përsipër Kosova.

“Është një vendim, i cili është peshuar gjatë me të gjitha pasojat. Është një vendim, i cili është vlerësuar se i shërben Kosovës, u shërben integrimeve tona euroatlantike, i shërben edhe luftës së UÇK-së, sepse ka qenë një luftë e pastër, një luftë, në të cilën është mbrojtur pragu i shtëpisë, janë mbrojtur familjet".

"Dyshimet mbi individët assesi nuk guxojnë të trajtohen në këtë proces si dyshime mbi UÇK-në dhe si gjykatë, e cila është e orientuar kah UÇK-ja", ka deklaruar Mustafa.

Ngjashëm me kryeministrin Mustafa ka folur edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi. Ai e ka arsyetuar inicimin e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale duke thënë se me këtë vendim Kosova ruan partneritetin e saj ndërkombëtar.

"Është vendim që i siguron një të ardhme më të mirë Kosovës, qytetarëve të saj. Vendim për të ardhmen e saj euroatlantike të Kosovës, që ruan dhe forcon partneritetin me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është vendim që e heq këtë barrë të padrejtë mbi ne", ka theksuar Thaçi.

Vendimin e Qeverisë për inicimin e ndryshimeve Kushtetuese për Gjykatën Speciale e ka mbështetur edhe presidentja e Kosovës, Atifete jahjaga.

Nëpërmjet një deklarate me shkrim, presidentja Jahjaga ka theksuar se themelimi i Gjykatës reflekton angazhimin e Kosovës për një proces të pavarur dhe të paanshëm për t’u marrë me akuzat e raportit të Këshillit të Evropës në mënyrë kredibile.

"Kjo gjykatë do të përqendrohet në individë dhe veprime individuale dhe nuk është gjykim i përpjekjeve kolektive të popullit tonë për çlirim dhe liri", thuhet në deklaratën e Jahjagës.

Në anën tjetër, opozita është shprehur tashmë kundër themelimit tëGjykatës Speciale.

Për miratimin e amendamenteve Kushtetuese në lidhje me Gjykatën Speciale, Kuvendi i Kosovës duhet të sigurojë 80 vota për, si dhe dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e pakicave.

Aktualisht, komuniteti serb ka ngrirë aktivitetin e vet në institucionet qendrore, kështu që kthimi i këtij komuniteti në Kuvend do të jetë i domosdoshëm për ndryshimet kushtetuese.

Nëse koalicioni në pushtet arrin që t'i bëjë ndryshimet e nevojshme kushtetuese, më pas pritet që të votohet edhe ligji për themelimin e kësaj gjykate.

Themelimi i këtij "mini" Tribunali Ndërkombëtar për Kosovën, ka rrjedhë në bazë të hetimeve të iniciuara nga Këshilli i Evropës, që si bazë kishin dyshimet e supozuara të zviceranit Dick Marty, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në bazë të këtyre supozimeve, prokurori amerikan Clint Williamson, ka zhvilluar edhe një hetim të gjerë.

Po në lidhje me themelimin e kësaj gjykate, një ekip nga Kosova, i kryesuar nga ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka zhvilluar negociata me Brukselin rreth infrastrukturës ligjore e kushtetuese.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG