Ndërlidhjet

Maqedoni: Vazhdojnë reagimet pas aferës së përgjimeve


Shkup...
Shkup...

Njohësit e çështjeve politike thonë se pas dëshmive të prezantuara një ditë më parë nga lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, për manipulimin e procesit zgjedhor nga ana e zyrtarëve të lartë në pushtet, paraqet një grusht të fuqishëm ndaj kredibilitetit të qeverisë aktuale.

“Manipulimi me zgjedhjet, kërcënimi i elektoratit, keqpërdorimi i pushtetit etj, paraqesin argumente shumë të fuqishme, të cilat opozita është duke i dëshmuar”.

“Pas kësaj, legjitimiteti i qeverisë aktuale është në këmbë shumë të brishta. Prandaj, gjithsesi se pas kësaj, kjo qeveri duhet të largohet, sepse është jolegjitime dhe të gjitha vendimet që i ka sjellë si dhe ligjet, që i ka miratuar përmes Parlamentit, janë jo legjitime, andaj dhe të njëjtat në të ardhmen e shpejtë duhet të korrigjohen”, thotë Alajdin Demiri, analist politik nga Tetova.

Prezantimi i audio-incizimeve nga bisedat e kreut të Qeverisë, Nikolla Gruevski, duke dhënë urdhër që të shpallen të pavlefshme fletëvotimet në ato njësi zgjedhore, në të cilat del humbëse partia e tij, si dhe pjesë të tjera të audio-incizimeve ku dëgjohen bisedat e zyrtarëve të lartë të qeverisë, që siç është shprehur Zaev, paraqesin dëshmi për manipulimin dhe falsifikimin e procesit zgjedhor, si dhe vjedhjen e votave, për analistët politikë, flet qartë për një arrogancë të skajshme të pushtetit.

Nga ana tjetër, Osman Kadriu, ekspert për çështje juridike, konsideron se me rëndësi të veçantë për stabilitetin e vendit dhe kthimin e imazhit të të institucioneve para qytetarëve, duhet të dënohen të gjithë ata që kanë keqpërdorur pozitat e tyre si zyrtarë të lartë të shtetit.

“Maqedonia gjendet në një krizë të thellë politike kohën e fundit me probleme juridike, zgjidhja e të cilave duhet kërkuar në institucionet gjyqësore. Por, kjo strukturë, e cila i drejton institucionet e sistemit gjyqësor, për momentin, nuk ka mundësi, përkatësisht nuk ka kapacitet, aq më pak kredibilitet që të realizojë procedura të drejta dhe të pavarura gjyqësore”, vlerëson Kadriu.

Në anën tjetër, sociologu maqedonas, Nellko Stojanovski, konsideron se besimi i qytetarëve në institucionet shtetërore, si element shumë i rëndësishëm për stabilitetin e vendit, mund të kthehet vetëm me largimin aktorëve politikë, të cilët në aferën e përgjimeve targetohen si persona, që cilët kanë keqpërdorur pozitat e tyre udhëheqëse.

“Ndryshimi i kësaj klime të tensionuar politike mund të arrihet vetëm me ndërrimin e aktorëve politikë, të cilët kanë kontribuar në krijimin e kësaj situate. Aktorët politikë, të cilët kanë kontribuar në krijimin e një klime të këtillë konfliktuoze në rrafshin politik dhe krijimin e ndasive në shoqëri, nuk mund të jenë ata që mund të ofrojnë një zgjidhje”.

“Prandaj, mbase edhe me ndihmën e faktorit ndërkombëtar në skenën politike duhet të vijnë personalitete të reja, të cilët do të angazhohen për zgjidhjen e kizës politike”, vlerëson sociologu Stojanovski.

XS
SM
MD
LG