Ndërlidhjet

logo-print
VOX

Të rinjtë kundërshtojnë dhunën në familje


Ilustrim@Shutterstock

Ilustrim@Shutterstock

Të rinjtë në Kosovë nuk dëshirojnë të ketë dhunë në familje, dukuri kjo epërhapur në vend dhe, siç thuhet, një nga krimet më të paraportuara në shoqërinë kosovare, e që në shumicën e rasteve viktima janë femrat.

Pikërisht më 8 mars, Ditën Ndërkombëtare të Gruas, për rubrikën epërjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, disa të rinj thonë se kjo dukuri duhet të çrrënjoset në familje, si dhe në shoqëri.

Ata madje thonë se dhuna në familje më nuk duhet të trajtohet si problem individual, por është përgjegjësi e shtetit, autoriteteve kompetente që të marrin masa konkrete për të mbrojtur viktimat e dhunës.

Indira Ibrahimi, studente në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, thotë se përdorimi i dhunës ndaj kujtdo qoftë, është jonjerëzore dhe e patolerueshme. Ajo shprehet se viktimat, në këtë rast gratë, duhet të vetëdijesohen e t’i denoncojnë rastet dhe jo të heshtin para krimeve të tilla.

“Nuk duhet të tolerohet, madje unë them se duhet të ketë mekanizma të veçantë që dalin në mbrojtje të viktimave. Por, unë mendoj se gratë nuk tregojnë se burrat i keqtrajtojnë. Ato e heshtin këtë fenomen tragjik për të ardhmen e tyre”.

Dhe, kur për vetveten nuk bëjnë zhurmë, atëherë askush nuk u del në mbrojtje. Në rend të parë duhet t’i dilet në mbrojtje të vetvetes”, thotë Indira.

Kjo dukuri është shqetësuese edhe për Arian Bytyçin nga Malisheva, i cili është duke ndjekur studimet në nivelin master në Fakultetin Ekonomik.

Ariani e quan të turpshme këtë dukuri, pasi përveç dhunës fizike, ofendimet,kërcënimet dhe sjelljet tjera kontrolluese ndaj qytetarëve në këtë shekull janë të papranueshme.

Dhuna është mjeti i fundit, dhuna nuk është mjet që zgjidh problemet. Ka rrugë të tjera që i zgjidhin problemet. Është krijuar një perceptim shumë i gabuar, që përmes dhunës fizike apo psikike mund të mbahen nën kontroll, mirëpo për mendimin tim ndodh e kundërta. Pikërisht në ato raste që është munduar familja, prindi, vëllai, motra ose edhe i dashuri, që të mbajnë nën kontroll përmes dhunës fizike dhe psikike, ka ndodh e kundërta”, konsideron Ariani.

Për studenten tjetër Fjolla Kallaba, e cila studion Gjuhën Angleze, njëherësh edhe Integrimet Evropiane, kushtet e rënda sociale janë faktorë të dhunës në familje, që në shumicën e rasteve viktima janë gratë, por jo të vetmet.

“Ka shumë faktorë, ndoshta faktori social më së shumti , problemet ekonomike. Unë personalisht nuk do të toleroja dhunën, duhet gjetur mënyra për t’iu shmangur dhunës”, shprehet Fjolla.

Edhe një i ri tjetër, që aktualisht është i papunë, Azem Miftari, konsideron se dhuna në familje mund të paraqitet si pasojë e gjendjes së vështirë ekonomike.

“Kur nuk ke para për të jetuar mirë, atëherë edhe problemet e vogla shndërrohen në probleme të mëdha dhe aty fillon dhuna në mënyra të ndryshme. Pavarësisht kësaj, dhuna si ndaj grave, burrave apo fëmijëve është e patolerueshme”, pohon Azemi.

Kurse, ekonomistja Ardita Bektashi, e quan të tmerrshme përdorimin e dhunës fizike dhe psikike ndaj cilësdo gjini:

Gjendja sociale, por edhe kushtet tjera, në të cilat po jetojmë, po dërgojnë deri te dhuna fizike ndaj grave. Por, më shumë se dhunë fizike unë mendoj se përdoret dhuna psikike”.

Një ndër prioritet e rinisë duhet të jetë eliminimi i dhunës në familje dhe shoqëri, thotë Dardan Bekeri, student në Fakultetin Juridik. Ai shprehet se kjo është joligjore dhe pasojat nga ushtrimi i dhunës, sidomos në mes bashkëshortëve, do të barten te fëmijët.

“Rinia duhet të ketë prioritet që ta zhdukë këtë fenomen, pasi pasojat janë shumë të rënda edhe për fëmijët. Realisht, organet kompetente duhet të marrin ndonjë vendim që të eliminohet dhuna në familje. Ndoshta nganjëherë është edhe frika që ekziston tek ata që të denoncojnë rastin, sepse nuk ka mbështetje as prej shtetit dhe më pak prej familjes”, thekson Dardani.

Në Kosovë ka pasur disa herë fushata sa i përket ndalimit apo vetëdijesimit të qytetarëve për mospërdorim të dhunës.

Sipas statistikave zyrtare, vetëm gjatë vitit 2014 janë regjistruar 1200 raste të dhunës në familje dhe të gjitha viktimat janë femra.

Zyrtarë të Policisë së Kosovës thonë se shifrat për rastet të dhunës në familje, asnjëherë nuk mund të dihen saktë për faktin se në shumë raste nuk raportohen. Sipas tyre, numri i rasteve mund të jetë edhe më i lartë.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG