Ndërlidhjet

SHBA: Obama i nderoi aktivistët për të drejtat civile


Barack Obama

Barack Obama

Presidenti amerikan, Barack Obama, i ka nderuar aktivistët për të drejtat civile në 50 vjetorin e marshit në qytetin Selma në Alabama, duke i vlerësuar ata si “heronjë” që e kanë shprehur shpirtin amerikan.

Me këtë rast, Obama tha mbrëmë vonë se megjithqë situata ka ndryshuar shumë në 50 vitet e fundit, “ne e dimë se marshi ende nuk ka përfunduar”.

Këto komente ai i bëri në urën Edmund Pettus në Selma, vend ku policia shtetërore e Alabamës, më 7 mars të vitit 1965, i kishte sulmuar demonstruesit me shkopinj dhe gaz lotsjellës, derisa ata përpiqeshin të marshonin në drejtim të kryeqytetit të shtetit, Montgomeri, për të kërkuar të drejtën e votës.

Pamjet televizive të shtypjes brutale, e njohur si “E diela e përgjakshme”, e patën shokuar gjithë vendin dhe u shndërruan në moment vendimtar në lëvizjen për të drejtat civile, duke shërbyer si katalizator për mbështetje gjithëkombëtare për të drejtën e votës për minoritete.

Akti për të Drejtën e Votimit në Shtetet e Bashkuara i vitit 1965 është miratuar disa muaj pas goditjes në Selma, kështu që e kishte vështirësuar edhe më tepër për shtetet siç ishte Alabama, që ta kufizojnë regjistrimin e votuesve zezakë nëpërmjet keqtrajtimit të dhunshëm dhe racizmit burokratik.

Pas fjalimit të tij përkujtimor, presidenti Obama, i shoqëruar nga bashkëshortja Michelle dhe vajzat Sasha e Malia, dhe personalitetet politike nga të dy partitë kryesore në Shtetet e Bashkuara, ka ecur gjurmëve të aktivistëve të të drejtave civile të para 50 vjetëve dhe pastaj e ka përfunduar marshin në urën e qytetin Selma.

XS
SM
MD
LG