Ndërlidhjet

logo-print

Aeroplani MH370 - mister që vazhdon edhe pas një viti


Kryeministri i Malajzisë, Najib Razak, ka thënë se vendi i tij mbetet i përkushtuar në kërkimin për gjetjen e aeroplanit të udhëtarëve MH370, një vit pas ai është zhdukur pa gjurmë. Razak është shprehur se shpreson se aeroplani do të gjendet.

Së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, ne kemi ndjekur pak dëshmi që ekzistojnë, por Malajzia mbetet e përkushtuar për kërkim dhe me shpresë se aeroplani MH370 do të gjendet”, thuhet në deklaratën e kryeministrit Razak.

Këto komente janë bërë derisa një ekip i udhëhequr nga hetuesit e Malajzisë, e ku po marrin pjesë edhe përfaqësues nga vendet e ndryshme, siç janë Shtetet e Bashkuara, Britania, Kina, Franca dhe Australia, e kanë publikuar një raport lidhur me shkaqet e zhdukjes së aeroplanit.

Në raport zbulohet se bateria e një lokatori nënujor për sinjalizim ishte me afat të skaduar, pothuajse një vit para se aeroplani të zhdukej më 8 mars të vitit 2014.

Rëndësia e kësaj baterie të skaduar nuk ishte menjëherë e qartë, megjithëqë paraqet indikacion se ekipet e kërkimit do të kenë më pak gjasë që ta lokalizojnë aeroplanin në Oqeanin Indian, ku mendohet se ai është përplasur, edhe nëse eventualisht gjenden afër tij.

Por, nga ana tjetër, në raport theksohet se bateria në sinjalizuesin e lokatorit të aparatit, që i incizon bisedat e pilotëve, ishte funksionale.

Të dy këto instrumente janë të rëndësisë madhore për përcaktimin e shkaqeve të përplasjes së çfarëdo aeroplani, pasi ato i incizojnë bisedat në kabinën e pilotëve dhe i regjistrojnë të dhënat e fluturimit, deri në përfundim të tij.

Raporti prej 584 faqesh trajton edhe detajet e jetës private të anëtarëve të ekuipazhit, shënimet e tyre mjekësore dhe financiare, stërvitjet e tyre, pastaj orarin e mirëmbajtjes së aeroplanit, motin, sistemet komunikuese dhe aspekte të tjera. Të gjitha ato nuk kanë treguar asgjë të jashtëzakonshme, me përjashtim të faktit të përmendur për baterinë me afat të skaduar.

Nga ana tjetër, kryeministri i Australisë, Tony Abott, ka thënë se kërkimi në Oqeanin Indian Jugor, që udhëhiqet nga vendi i tij, mund të zgjerohet, nëse hetimet aktuale nuk japin sukses.

Kërkimi i gjatë njëvjeçar në thellësi të oqeanit, në së paku 1600 kilometra të bregdetit perëndimor të Australisë, ku konsiderohet se është rrëzuar aeroplani MH370, deri tash nuk ka dhënë ndonjë shenjë të gjetjes së aeroplanit.

Aeroplani i kompanisë ajrore të Malajzisë, i tipit Boing 777, u zhduk gjatë fluturimit prej Kuala Lumpurit për në Pekin, me 227 udhëtarë dhe anëtarë të ekuipazhit.

Çështja lidhur me këtë aeroplan është shndërruar në njërën nga misteret më të mëdha në historinë e aviacionit.

Hetuesit besojnë se aeroplani kishte fluturuar mijëra kilometra jashtë kursit, para se eventualisht të rrëzohej në Oqeanin Indian.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG