Ndërlidhjet

logo-print

Gratë deputete kërkojnë më shumë pushtet


Kuvendi i Kosovës (Foto nga arkivi)

Kuvendi i Kosovës (Foto nga arkivi)

Kuvendi i Kosovës ka mbledhur të dielën, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas më 8 mars, deputetet gra nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia si dhe përfaqësuese të jetës politike nga Mali i Zi e Lugina e Preshevës.

Gratë e përfaqësuara në jetën politike shqiptare në rajon, janë angazhuar për përfaqësim të dinjitetshëm të gruas në politikë e institucione dhe jo vetëm përfaqësim sa për përmbushje kuotash.

Kryesuesja e këtij Kuvendi të gruas, ish-ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Arta Dade, ka thënë se gruaja ka qenë protagoniste e të gjitha zhvillimeve historike e shoqërore.

Ndërkohë, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatçiu, ka theksuar se Kuvendi i Kosovës u shndërrua më 8 mars në Kuvendin e grave nga të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët.

Ajo ka thënë se Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës parashohin përfshirje të barabartë të gruas në institucione. Por, në praktikë, kjo nganjëherë, sipas saj nuk është aq e lehtë të realizohet.

“Kosova sot udhëhiqet për herë të parë nga një grua presidente. E ka një kryetare të komunës. Por, nga 22 ministri, vetëm dy udhëhiqen nga gratë. Nga 14 komisionet parlamentare, vetëm 4 udhëhiqen nga gratë, kurse kemi 3 gra që udhëheqin me grupet parlamentare, ku kemi avancim”, ka thënë Sahatçiu.

Fuqizimi i kombit shqiptar duhet të shkojë krahas fuqizimit të gruas, ka thënë Edita Tahiri, ministre në Qeverinë e Kosovës, e angazhuar si kryenegociatore në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ajo ka potencuar se përfaqësimi i femrës në institucione, nuk duhet të shihet vetëm si përmbushje e kuotave, por të jetë një përfaqësim kualitativ.

“Mesazhi im i sotëm është: Të hapen dyert për gratë, sepse hapja e dyerve do të jetë hapje e dyerve për zhvillim, demokraci, fuqizim dhe bashkim kombëtar, në suazat të cilat unë i mendoj si bashkim i vlerave tona, si fuqizim i kombit, për çka mendoj se kombi shqiptar po bëhet lider në Ballkan. Kemi qenë të shtypur në shekullin e XX, por shekulli XXI është shekull i shqiptarëve dhe do të jemi lider në paqe, stabilitet e zhvillim”, është shprehur Edita Tahiri.

Në anën tjetër, deputetja Monika Kryemadhi nga Lidhja Socialiste për Integrim në Kuvendin e Shqipërisë, ka thënë se në politikën shqiptare gruaja përfaqësohet dhe ka pozita udhëheqëse në të gjitha institucionet. Me kuotat aktuale, ajo ka vlerësuar se gruaja në Shqipëri ka dëshmuar se është e aftë të udhëheqë në politikë.

“Për sa i përket përfaqësimit të gruas në legjislativ, vërtetë kemi një përfaqësim të lartë. Nga 17 ministri, ne kemi 7 gra që janë ministra, kemi shumë zëvendësministre, kemi drejtoritë më të mëdha e më të fuqishme të shtetit shqiptar që drejtohen nga vajzat e reja dhe shumë institucione tjera të rëndësishme, që tregojnë që gruaja i ka mundësitë e kapacitetet për të drejtuar”, ka theksuar Kryemadhi.

Deputetja në Kuvendin e Maqedonisë, Shpresa Hadri, nga Bashkimi Demokratik, ka thënë se femra në këtë vend çdo ditë e më tepër po arsimohet dhe emancipohet.

“Është një fatmirësi që tashmë problemi i vijimit të shkollimit të femrës, si një nga komponentet më diskriminuese ndaj saj, i takon së kaluarës. Të dhënat e fundit janë inkurajuese dhe tregojnë një trend në rritje të femrave me arsim të lartë e sipëror, madje në shumë raste me përqindje edhe më të lartë se gjinia komplementare”, ka deklaruar Hadri.

Në seancë, ishin ftuar edhe gratë përfaqësuese nga Lugina e Preshevës dhe Malit të Zi.

Albiona Ibrahimi, përfaqësuese e grave të Luginës së Preshevës ka thënë se përfshirja e femrës në institucione atje realizohet kryesisht vetëm në nivelin lokal.

Ajo ka kërkuar ndihmën e institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë për shkollimin dhe emancipimin e femrës, por edhe të shqiptarëve në përgjithësi nga Lugina e Preshevës, pasi që, siç ka thënë ajo, në Serbi, atyre u ofrohen kushte minimale për zhvillim.

Ndërkohë, Zylfije Duraku përfaqësuese e grave nga Mali i Zi ka thënë se për shqiptarët e Malit të Zi, përfshirë edhe femrat, Kosova ishte dera e vetme ku mund të mësohej shqip, deri së voni kur kjo mundësi është krijuar edhe në Podgoricë.

Tradita e seancave parlamentare të deputeteve gra ka nisur vitin e kaluar në Tiranë, po në Ditën Ndërkombëtare të Gruas më 8 Mars.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG