Ndërlidhjet

Maqedoni: Femra të luftojë vetë për rolin vendimmarrës


Ilustrim

Ilustrim

Për pozitën e vështirë të gruas shqiptare në Maqedoni, nuk janë fajtor ligjet, por stereotipat dhe paragjykimet që për fat të keq në të shumtën e rasteve burimin e kanë edhe nga vetë gratë, vlerësojnë aktivistet për të drejtat e grave në Maqedoni.

Lindita Kadriu nga shoqata “Gonxhe”, e cila ka realizuar shumë projekte për edukimin dhe angazhimin e femrave në viset rurale, konsideron se viteve të fundit në Maqedoni, më nuk paraqet problem diskriminimi gjinor, por diskriminimi siç e quan ajo, i të aftëve.

“Unë mendoj se ajo diçka që e tipizon shtetin, Maqedoninë, viteve të fundit nuk është diskriminimi gjinor, i cili rrjedh nga mosbesimi në kapacitetet e gruas, por mendoj se ajo që duhet të na shqetësojë për momentin, si shoqëri, është diskriminimi i të aftëve dhe bazohet pikërisht nga frika e aftësisë së dikujt tjetër. Dhe, ky diskriminim që pamundëson që shoqëria të ecë para në kuptimin e vërtetë të fjalës, rrjedh nga fakti se në të shumtën e rasteve nuk i kemi njerëzit e vërtetë në vendet kyçe”, thotë Kadriu.

Ndërkaq, Valdete Hajdari-Kasapi nga shoqata e grave “AJO”, e cila njëkohësisht punon si dizajnere, thotë se gabimi më i madh që bëhet është ndarja e profesioneve sipas përkatësisë së gjinisë, duke thënë se kjo punë është për gra e kjo për burra.

Ajo thotë se femra shqiptare në shumë raste ka dëshmuar se ka vlera dhe aftësi të nevojshme për të qenë në pozitat vendimmarrëse në shoqëri, por sipas saj, kohën e fundit mungon dëshira nga ana e gruas për të sakrifikuar, si rrjedhojë e devalvimit të vlerave.

“Ndaj mendimin se ne kemi mbërritur një stad ku kemi femra, të cilat janë në pozicionet kyçe, qoftë si kryetare komunash, drejtuese të institucioneve të ndryshme. Kuptohet se sakrificat e femrave janë shumë më të mëdha sesa të burrave për t’u ngjitur në hirearkinë e shoqërisë, por kjo megjithatë është e arritshme”, vlerëson Hajdari-Kasapi.

Por, Adelina Marku, drejtuese e Akademisë Diplomatike në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë, thotë se më parë femra shqiptare ishte në numër më të vogël e pranishme në shoqëri, por zëri i saj dëgjohej shumë më fuqishëm se sot.

“Kam përshtypjen se ky problem gjenezën e ka në mënyrën se si po ndërtohemi ne, si shoqëri, pra kemi pasur transformime të mëdha, për të cilat nuk kemi pasur kohë as të diskutojmë. Pra, debatin nuk kemi arritur ta shndërrojmë në një standard intelektual në mesin e femrave, po edhe në shoqëri, në përgjithësi”.

Kjo ka ndikuar që partitë politike të dominojnë me preferencat e tyre dhe këto preferenca kanë vënë në pozitat udhëheqëse njerëz jo të duhur, por të dëgjueshëm”, thekson Adelina Marku.

Ndërkaq, Mimoza Thaçi, biznesmene nga Tetova, e cila menaxhon një rrjet të dyqaneve të veshmbathjes në Maqedoni dhe Kosovë, konsideron se është mungesa e kapitalit bazë për të filluar një aktivitet që do ta bënte gruan shqiptare në Maqedoni të pavarur.

Kjo, siç thekson Thaçi, po ndodh si rrjedhojë e mentalitetit se femrat nuk duhet të marrin as edhe pjesën më të vogël nga trashëgimia familjare.

“Unë mendoj se në radhë të parë kemi të bëjmë me atë mentalitetin e viktimës, pra gratë jo rrallë herë preferojnë të viktimizojnë veten se ja ne jemi ato të cilave burri, familja apo familja nuk ia lejon këtë apo atë gjë”, thotë Thaçi.

Mimoza Thaçi potencon se luftën më e madhe drejt korrjes së suksesit për të qenë e pavarur ekonomikisht, femra duhet ta bëjë me veten, gjegjësisht të besojë në afinitetet dhe shkathtësitë që disponojnë gratë shqiptare, gjë që sipas saj, është dëshmuar në shumë raste.

Organizatat joqeveritare, të cilat në fokus kanë të drejtat e grave, konsiderojnë se me rëndësi të veçantë është krijimi i urave lidhëse dhe bashkëpunimit të sinqertë mes grave, në cilëndo pozitë të shoqërisë qofshin ato të pozicionuara, me qëllim të arritjes të interesave të përbashkëta, përkatësisht krijimit të hapësirave që ajo të ketë qasje të barabartë në të gjitha poret e shoqërisë dhe jo këtë të drejtë të prêsë t`ua mundësojnë burrat ose ligjet pozitive.

XS
SM
MD
LG