Ndërlidhjet

Rusi: Dy të akuzuar lidhur me vrasjen e Nemtsovit

  • RFE /RL

Dy persona janë akuzuar për pjesëmarrje në vrasjen e politikanit opozitar rus, Boris Nemtsov, derisa pesë të dyshuar në këtë rast, janë paraqitur në një gjykatë në Moskë.

Anna Fedeyeva, zëdhënëse e gjykatës Basmani në Moskë, tha se dy vetë, Zaur Dadayev dhe Anzor Gubashev, janë akuzuar për “vrasje të Boris Nemtsovit, ndërsa tre të tjerët ende janë të dyshuar”.

Agjencitë ruse të lajmeve, kanë raportuar se gjyqtarja, Natalya Mushnikova, ka thënë se Dadayev ka pranuar para hetuesve se ishte i involvuar në vrasje.

Por, sipas agjencive të lajmeve të pavarura dhe atyre të udhëhequra nga shteti, Dadayev nuk e ka pranuar fajësinë në sallën e gjykatës.

I dyshuari tjetër, që është akuzuar nga autoritetet, Anzor Gubashev, ka refuzuar se është fajtor.

Megjithatë, të gjithë të dyshuarit mbeten në arrest deri më 28 prill.

“Gjithsej pesë propozime janë marrë nga gjykata Basmani në Moskë, për të siguruar arrestimet, si masë e kufizimit të të dyshuarve në rastin e vrasjes së Nemtsovit”, tha Anna Fadeyeva, zëdhënëse e kësaj gjykate.

Megjithatë, nuk ka pasur akuza të menjëhershme kundër vëllaut të Anzor Gubashevit, Shagid, dhe dy personave të tjerë të dyshuar, Ramzan Bakhayev dhe Tamerlan Eskerkhanov, për të cilët raportohet se janë të ndërlidhur me të akuzuarin Dadayev.

Zyrtarët kanë thënë se Zaur Dadayev dhe vëllezërit Gubashev, ishin arrestuar më 7 mars, ndërsa dy të tjerët, në mëngjesin e 8 marsit, në një lagje periferike të Moskës.

Agjencia ruse Interfax, duke e cituar një burim të agjencive për zbatimin e ligjit në Çeçeni, ka thënë se një person i vrarë gjatë të shtënave me policinë në kryeqytetin e Çeçenisë, Grozni, vonë më 7 mars, po ashtu, ishte i kërkuar nga policia, lidhur me vrasjen e politikanit Nemtsov.

Kur policia kishte arritur në një bllok të banesave, personi i përmendur e kishte hedhur një granatë kundër oficerëve, e pastaj e kishte vrarë veten me granatën e dytë, raportoi agjencia Interfax.

Zyrtarët e agjencive të ndjekjes në Rusi, kanë vlerësuar se të dyshuarit janë fajtorë, por nuk e kanë publikuar asnjë detaj se si ata ishin involvuar në vrasjen e Boris Nemtsovit.

RIA Novosti, ka raportuar se Dadayev ishte zëvendës komandant i një batalioni të Ministrisë së Brendshme të Çeçenisë, ndërsa Gubashev kishte punuar për një kompani të sigurisë në Moskë.

Presidenti i Republikës së Çeçenisë, Ramzan Kadirov, në rrjetin Instagram ka shkruar se e njihte Dadayevin si “patriot të vërtetë të Rusisë” dhe “njeri thellësisht religjioz”, i cili ishte shokuar nga karikaturat e profetit Muhamed në revistën franceze, Charlie Hebdo.

Zoti Kadyrov nuk pozicionohet lidhur me çështjen se nëse Dadayev është fajtor. Ai tha se Dadayev “nuk do të ndërmerrte hap kundër Rusisë”, pasi ai e kishte rrezikuar jetën e vet për vendin.

Këto arrestime u bënë pak më tepër se një javë, pas vrasjes së Boris Nemtsovit, që për një kohë të gjatë ishte kritik i presidentit, Vladimir Putin.

Nemtsov ishte qëlluar katër herë me armë zjarri në shpinë, më 27 shkurt, derisa shetiste me dashnoren e tij përgjatë një ure, e cila është vetëm disa metra larg nga presidenca e Rusisë në Moskë.

Komiteti Hetues i Rusisë, pati sugjeruar se ekstremizmi islamik mund të jetë motiv eventual për vrasjen e Nemtsovit.

Ky komitet tha se ka prova se Nemtsovit i kanë arrritur kërcënime “lidhur me pozicionin e tij”, për sulmin e militantëve islamik në zyrat e revistës, Charlie Hebdo, në Paris.

Por, kritikët e Kremlinit, kanë thënë se motivi i këtillë është “i pambështetur”.

Vrasja shokuese ka dërguar valë të shqetësimit në gjithë opozitën e Rusisë dhe ka shkaktuar dënim shpërthyes ndërkombëtar.

Hetuesit kanë sugjeruar se vrasësit kishin dëshiruar ta destabilizojnë Rusinë, e cila, për shkak të konfliktit në Ukrainë, ballafaqohet me marrëdhëniet më të tensionuara me perëndimim prej Luftës së Ftohtë.

Hetuesit po e analizojnë edhe mundësinë se Nemstov është vrarë për shkak të kritikave në adresë të rolit të Rusisë në Ukrainë.

Kreu i Këshillit Presidencial për të Drejtat e Njeriut në Rusi, Mikhail Fedotov, i ka thënë agjencisë Interfax, se është e rëndësishme që ata që e kanë urdhëruar dhe organizuar vrasjen e Boris Nemtsovit, të sillen para drejtësisë, e po ashtu, edhe ata që e kryen krimin.

Agjencia Interfax ka raportuar se avokati i shoqërueses së zotit Nemtsov, Anna Durytska, në momentin kur ai ishte vrarë, ka thënë se ajo mund të thirret nga Ukraina për hetime të mëtejshme, pas arrestimeve të pesë personave.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG